Kombetarja

“Kam gjak shqiptari”, Broja rrëfen karrierën dhe arsyen pse zgjodhi kuqezinjtë

Shqipëria përballet të dielën me Anglinë, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Një ndeshje e veçantë edhe për sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja, i cili do të sfidojë vendlindjen, duke u rritur në një nga akademitë më të mëdha në botë, siç është ajo e Chelsea.

I lindur në Slough, Broja në një intervistë të dhënë për “Goal” shpjegon arsyet e tij pse ka zgjedhur tokën ku kanë lindur prindërit e tij, teksa shton se ka gjak shqiptari dhe për këtë arsye zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë.

“Normalisht që është një vendim i madh dhe i rëndësishëm, kur t’i zgjedh vendin tënd për të luajtur. Zgjodha Shqipërinë, sepse brenda meje kam gjak shqiptar. Unë jam shqiptar, prindërit e mi po ashtu, kështu që ishte një vendim i lehtë.

Më pëlqente që të bëja shqiptarët krenarë, por edhe prindërit. Unë dua ta ndihmoj Shqipërinë për të shkuar në Botëror ose Europian, kjo është gjë e madhe për shqiptarët. Nëse do të shkonim në Kupën e Botës, do të ishte çmenduri dhe ne do të bënim histori. Ne nuk kemi arritur kurrë më parë këtë dhe do të ishte diçka e çmendur për të gjithë.

Prindërit e mi janë shqiptarë, unë jam shqiptar dhe kam familjen në Shqipëri. E vizitoj çdo vit kështu që është me të vërtetë një pjesë e madhe e jetës sime.” Tashmë përballemi me Anglinë dhe në këto ndeshje unë mund shfaq të gjithë potencialin tim. Është diçka e veçantë të luash për vendin tënd.”, tha Broja.

Broja është aktualisht lojtar i Chelsea, nga Akademia e të cilit ka dalë, por u huazua në Vitesse, një klub holandez i njohur për marrëdhëniet e mira me londinezët ku rriten talentet e bluve.

‘’Që kur kam lindur e mbaj vetën në mend me një top në këmbë. Në atë kohë luaja futboll me dy kushërirët e mi. Futbolli ishte diçka që më bënte të ndihesha mirë dhe që nga atëherë nuk jam larguar nga topi.

Karriera ime filloi te Burnham, për të shkuar më pas te Readingu dhe e shijova kohën time aty. Më pas shkova te Akademia e Fulhamit, ku edhe aty kisha një pritje të mirë, për të kaluar më pas te Tottenham Hotspur për dy vite të tjera”.

Nga ndeshja Kazakistan-Shqipëri, 0-0. Broja në aksion.

Zbuluesit e lojtarëve të Chelsea më shikuan kur luaja përballë klubit dhe vendosa të transferohem në akademi , ka shtuar më tej sulmuesi shqiptar.

Broja debutoi me Kazakistanin dhe Lituaninë, në të dyja i aktivizuar si titullar nga trajneri Edi Reja. 19-vjeçari dha sinjale pozitive me fanellën e Kombëtares, sidomos në Kazakistan. Nga specialistët vlerësohet si lojtari, tek i cili do të mbështetet sulmi kuqezi për shumë vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë