Ngjarje

Kalvari i 37-vjeçares së përdhunuar në Itali, iku nga Shqipëria pas dhunës nga bashkëshorti. Dyshohet për hakmarrje    

Disa ditë më parë, një grua, e cila kishte mbërritur vetëm një vit më parë nga Shqipëria në Itali, sulmohet seksualisht për orë të tëra nga një 36-vjeçar nga Kosova, i cili sapo kishte dalë nga burgu për një dënim 10-mujor për krime të vogla. Policia e Padovës e arrestoi falë identifikimit nga një tatuazh me shqiponjën e madhe dykrenore të vizatuar në kraharor   

Gazeta Si – Një shqiponjë e madhe dykrenore ngjyrë blu në sfond rozë, simbol i flamurit shqiptar, e bërë tatuazh në gjoks. Sytë e gjelbër, kokën të rruar.

Pikërisht falë këtyre detajeve, policia italiane në Padova arrestoi 36-vjeçarin kosovar, Dian Bytyqi, me akuzën e rrëmbimit dhe sulmit seksual ndaj një 37-vjeçareje nga Shqipëria.

Sulmi ka ndodhur të shtunën e kaluar në një apartament në periferi të Padovës, ndërsa viktima ishte joshur nga mashtrimi i kosovarit: “Zbrit menjëherë, – i kishte thënë në telefon, – djali yt është në rrezik, duhet të vish me mua”.

Bytyqi ishte liruar nga burgu një ditë më parë, ku kishte vuajtur dënimin prej 10 muajsh për krime kundër pronës.

Ai ka disa dënime të mëparshme për rezistencë ndaj arrestimit dhe vjedhje të mallrave. Ishte dëbuar nga Italia disa vite më parë, por ishte kthyer ilegalisht dhe kishte përfunduar sërish në telashe.

Precedentët dhe misteri

Gruaja me origjinë shqiptare kishte ardhur në Itali një vit më parë për t’i shpëtuar bashkëshortit të saj që e kishte dhunuar në Shqipëri dhe që akuzohej për vrasje nga drejtësia, raportojnë mediat italiane.

Nuk është e qartë, se si Bytyqi ka marrë kontaktin me gruan dhe pse e ka vënë në shënjestër, por nuk përjashtohet që numrin e telefonit ta ketë marrë nga ndonjë shok i burrit të saj shqiptar dhe këtë dhunë e ka kryer për ta dënuar viktimën për largimin e saj nga Shqipëria në shenjë hakmarrjeje.

Policia italiane që po heton rastin, nuk përjashton asnjë mundësi, madje as atë të hakmarrjes, me porosi nga Shqipëria, në emër të ndonjë personi që kosovari mund ta ketë takuar në burg. Viktima tani është nën mbrojtjen e policisë.

Ngjarja

Sipas rindërtimit policor të ngjarjes, Bytyqi u lirua nga burgu të premten e kaluar pas vuajtjes së dënimit prej 10 muajsh.

Edhe pse nuk ka dokumente për të qëndruar në Itali dhe konsiderohej i rrezikshëm, asgjë nuk e pengoi të qëndronte në qytet.

Ai gjen strehim në “Via Magenta”, në lagjen e njohur “Palestro”, në pjesën perëndimore të qytetit të Padovës, ku një grua i jep me qira shtëpinë ilegalisht për 30 euro në ditë.

Të shtunën në mëngjes, 36-vjeçari nga Kosova takon motrën e tij, e cila jeton në Padova. Ajo i jep para dhe me ato ndoshta blen kokainë.

Përvç kësaj, e motra i ka sjellë edhe një celular. Ai ka numrin e 37-vjeçares shqiptare dhe e merr në telefon. Gjatë bisedës, i thotë se djali i saj është në rrezik dhe se ajo duhet të dalë në rrugë, ku e pret atë.

Ajo vrapon drejt tij, ndërsa ai i tregon një armë dhe e detyron të ngjitet në apartamentin në “Via Magenta”, e përdhunon atje dhe më pas e çon në një apartament tjetër aty pranë, në dispozicion të tij.

Arratisja

Kosovari alternon dhunën me kokainën, ndërsa gruaja tmerrohet dhe beson se agresori ka bashkëpunëtorë që po mbajnë nën kontroll djalin e saj.

Ajo vuan, derisa arrin të flasë me djalin që i thotë se është mirë. Në atë moment, ajo arratiset ikën dhe fshihet pas një koshi mbeturinash.

Ndërsa ai qëndron në shtëpi, ndoshta i pushtuar nga droga që ka marrë. Pasi ka dalë në rrugë, gruaja njofton policinë: makthi i saj ka marrë fund. Nisin kërkimet për autorin me prokurorin Benedetto Roberti që koordinon hetimet. Pas dy ditësh aksione përgjatë “Via Magenta”, policia e gjeti, e ndaloi dhe e çoi në komisariat.

Përshkrimi i tatuazheve në trup e gozhdoi përfundimisht. Bytyqi përfundon sërish në burg për akuza shumë të rënda, atë të rrëmbimit dhe sulmit seksual.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë