Drejtësia

Kalon për gjykim fraksioni i dytë i dosjes ‘5D’, akuzat për 9 anëtarët e Komisionit të Ofertave në Bashkinë e Tiranës

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim fraksionin e ndarë të dosjes “5D” në ngarkim të 9-ish zyrtarëve të Bashkisë Tiranë.

Sipas SPAK, kompania “5D”, e zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtor në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë, ka përfituar tendera në kundërshtim me ligjin nga “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.

Konkretisht, në vitin 2020, e pandehura Deborah Keçi, nën drejtimin e “Klubit Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë, në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë krijuar për “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në një tender.

Gjithashtu në vitin 2019, e pandehura Eglantina Zëre, nën drejtimin e “Tirana Parking”, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me 4 të pandehur të tjerë, kanë favorizuar kompaninë V.A.S, e njëjtë me 5D-në sipas SPAK në përfitimin e një tenderi rikonstruksioni.

Gjykimi ndaj tyre do të kryhet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ç’ka do të thotë se në fund atyre iu zbret 1/3 e dënimit.

Për fraksionin e dytë të dosjes “5D”, SPAK ka marrë të pandehur 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, më konkretisht dy ish-drejtoreshat, Deborah Keçi dhe Eglantina Zëre, si dhe ish-zyrtarët Teuta Guri, Rejnaldo Gjerazi, Jetjon Mera, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati.

Të 9 të pandehurit akuzohen vetëm për veprën penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë në fraksionin e parë të dosjes, ku pjesë e saj janë 3 ish-drejtorët Molla, Tushe dhe Qato, si dhe administratorët e kompanisë janë ende në fazën e kërkesave paraprake, ku të gjithë personat në atë dosje kërkojnë gjykim shkurtuar.

Dosja e parë që tashmë SPAK ka mbyllur hetimet dhe është gati ta çojë në gjykatë, përbëhet nga 7 të pandehur, të cilët janë veçuar, si: Redi Molla, me detyrë ish-Drejtor i Ujësjellësit Tiranë; Mariglen Qato, ish-drejtor në departamentin Mbështetës; Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashki; Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit; Julian Zanaj, Drejtor i Prokurimeve në Bashki; Albano Janku, Drejtor i Planifikimit të Burimeve Njerëzore në Bashki; Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion”. 

Akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës janë korrupsion pasiv dhe aktiv, refuzim për deklarim, shkelje të barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë