Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe bashkëpunëtorëve të tij, Altin Hajri e Ahmer Masha.
Çyrbja, i cili u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar në Durrës, akuzohet për nxjerrje të sekretit shtëtëror, krim zgjedhor dhe përkrahjen e autorit të krimit.
Avokati i ish-deputetit ka kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e tij që në njëfarë mënyrë pranon që procesi gjyqësor të zhvillohet pa gjykim të thelluar të fakteve.
Nëse kjo pranohet, fillimisht do të jetë SPAK që do të paraqesë provat dhe akuzat, e më tej do të jetë radha e mbrojtjes.
Në këtë mënyrë shmanget dhe zgjatja e procesit përmes përballjes së palëve, por nëse do të gjendet fajtor, Çyrbjes do t’i ulet një e treta e dënimit.
Nga ana tjetër, edhe avokati i Altin Hajrit, bashkëpunëtorit tjetër të dyshuar si i përfshirë në këtë dosje, kërkoi gjykim të shkurtuar për klientin e tij.
Çyrbja akuzohet se ka strehuar njërin prej personave të shumëkërkuar, Altin Hajrin, të shpallur në kërkim në 2020-ën për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në kompleksin “Golden” në Pjezë të Shijakut.
Gjithashtu Çyrbja, si anëtar i komisionit të sigurisë dispononte informacione për operacione të caktuara të policisë dhe informonte elementë kriminalë që të largoheshin nga Durrësi.
Një tjetër akuzë penale ndaj tij është krimi zgjedhor. Çyrbja u rendit papritmas i treti në listën e kandidatëve të Durrësit dhe dyshohet se anëtarë të grupit kriminal të Altin Hajrit u angazhuan që Çyrbja të zgjidhej deputet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



