Një grua që larg-larg të kujton Afërditën primitive, perëndeshën e bukurisë, vjen përmes 15 tablove në vaj dhe 13 vizatimeve të Gazmend Lekës për të himnizuar të bukurën tokësore, atë që është fillesa e gjithçkaje.
Piktori Gazmend Leka përmes ekspozitës “Kaloi një grua” duke dashur t’u krijojë një himn atyre, ka hedhur një vështrim te një femër që është fare-fare e zakonshme...
“Është një ekspozitë e ndërtuar me kryefjalë nudon. Nuk e kam quajtur as femër, as vajzë, por grua sepse e kam çuar këtë zgjedhjen e modelit në një lloj harmonie që pikëtakohet femra dhe gruaja. Meqenëse këto nuk janë femra pasarelash apo shumë të trukuara, këto janë femra të përditshme që ti i sheh në rrugë, në market, në stacion treni etj, etj”, thotë piktori Leka për Gazetën Si.
Teksa endesh në versione të ndryshme të nudos, piktori Leka shpjegon se në interesin e tij ka qenë pjesa më substanciale e femrës, që është mëmësia.
“Kodi i tyre më thelbësor është mëmësia, ajo që e ndan gruan nga mashkulli dhe këto tri dhoma i përbashkon fiks kryefjala që është gruaja”.
Gruan në këtë ekspozitë e shohim në një tentativë për të rindezur atmosferën e një sensualiteti të harruar.
Ajo herë shihet me sendet e veta, pranë krevatit, apo në poltronë, teksa vërtitet e shkujdesur në kërkim të shumëçkaje e herë vërtitet flirtuese kur vjen natyrshëm nga dritarja, por edhe nga brenda dhomës.
Në një version të dytë, ajo nuk është më vetëm. Aty bashkë me të, është edhe figura e zhveshur e një mashkulli. Ata janë aty, mes shisheve të verës dhe laptopëve.
Dhoma tjetër është dhoma e piktorit, studioja e tij, por edhe këtu hyn në lojë një femër.
“Kur shikon te studio ime, ti dallon aty që janë bojërat, penelat, pjesët identifikuese të një piktori. Por edhe këto janë kompozime ku kryefjala është nudo... kjo është atelieja ime me gjërat e mia. Ne jemi të gjithë në një ambient po s’kemi lidhje fare me njëri-tjetrin... janë secili në hesap të vet...”, shpjegon më tej piktori.
Teksa kujton se si lindi kjo ekspozitë, ai vë në pah që nuk ka dashur të krijojë diçka specifike, por thjesht t’i sjellë një cikël me nudo, që hap pas hapi erdhi në një version me tri dhoma.
“Unë fillimisht kur e fillova thashë do bëj një cikël me nudo. Kur mbaron punën dhe hedh sytë prapa, fillon dhe gjurmon se çfarë ke dashur të thuash, të zbulosh në subkoshiencën tënde atë që ka ndodhur, por kur mbaroi ky cikël, atëherë thashë ta formuloj e t’i jap një titull që të përtypet e gjitha si një frazë”, ndërsa vijon i bindur se “të jap një mesazh? S’kam çfarë mesazhi të jap, përveçse një himni që u kam krijuar atyre”.
Risia e kësaj ekspozite sipas tij është ndërthurja e pikturës me vizatimin. Për të është shumë e rëndësishme pjesa manuale, pasi siç shprehet vetë ai “vizatimet nuk kanë vdekur”.
“Plus pikturave këtu janë edhe vizatimet, që është një lloj risie, asnjëherë skam bërë piktura dhe vizatime bashkë, por veç e veç. Kjo lloj procedure përpos që më krijonte një lloj aventure tjetër, ajo që më nxiti përfundimisht t’i ekspozoja në këtë mënyrë në këtë galeri ishin studentët e mi sepse dhe ata kanë nevojë të shohin që përpos teknologjisë, vizatimi nuk ka humbur”.
Gjatë bisedës, piktori do të më flasë edhe për vijimësinë e këtij zhanri artistik. Në emër të moralit shoqëror estetik dhe ideologjik, Leka rrëfen se sistemi socialist në Shqipëri, në heshtje e ndaloi nudon.
“Para ’90 i gjykonin dhe i çonin në burg, ndërkohë që ishte shumë e lejuar për piktorin. Duhet thënë që në Shqipëri bëhej pak nudo, dikur bënin nudo nga pak dhe i mbanin në studiot e tyre, dhe nuk i ekspozonin. Pas viteve ‘90 kjo gjë u hap po neve e kishim prerë këtë lloj kordoni, sërish e kishim të vështirë”, vijon ai.
Piktori nuk ngurron të flasë edhe për perceptimin e publikut ndaj nudos.
“Publiku shqiptar e percepton shkëlqyeshëm edhe nudon. Vijnë pafund studentë, pedagogë të akademisë dhe miq të artit”.
Bukuria e femrës dhe harmonia anatomike e trupit të saj, përherë kanë qenë joshëse dhe frymëzuese për piktorët e poetët kudo në botë. Piktori Gazmend Leka me sprovën e tij në trajtimin e nudos na sjell më afër gruan, të përhumbur mes rrëmujës, plotësisht të zhveshur, në gjendje aq të ndryshme ku edhe sensibiliteti i saj ndryshon...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.