Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet për rreth 40 minuta në SPAK nga prokurori Elvin Gogaj mbi kallëzimin që gjyqtarja Irena Gjoka ka bërë për shpifje për Sali Berishën dhe vajzën e tij Argita Malltezi, pas akuzave se ka marrë ryshfet prej 500 mijë eurosh nga një eksponent i PS-së.
Berisha u fut në ambientet e SPAK rreth orës 10:10 dhe nga aty sulmoi SPAK, duke e quajtur një institucion që bashkëpunon me krimin.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme rreth orës 10:50, ish-kryeministri nisi sulmet ndaj gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka, e cila ka qenë edhe gjyqtarja e hetimit paraprak që ka vendosur masat e sigurisë ndaj tij dhe dhëndrit Malltezi.
“A ke ti ndonjë bisedë me Aleket Hysenin ku flitet për 500 mijë euro ryshfet apo e ke Mirel Mërtirin. Këtë Irena me 5 mbiemra e ka marrë si fyerje dhe ushtrimin e funksionit timin publik si kryetar i partisë më të madhe opozitare. Një mashtruese ordinere, delikuente klasike, person që e ka vendin në burg, e nxitur nga Rama dhe Troplini ngre padi ndaj meje për fyerje”, tha Berisha.
Berisha sulmoi dhe SPAK teksa tha se është sipas tij institucioni i bashkëpunimit me krimin.
“Nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë, të cilët këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha. Atëherë është Edi Rama vetë me Gjipenë. Bëhet fjalë për Gjipenë. Ua mori Gjipenë… Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo”, tha Berisha para se të hynte në SPAK.
Çështja lidhet me akuzat që vajza e tij, Argita Berisha vitin e kaluar, ka bërë në drejtim të Gjokës se “kishte marrë 500 mijë euro nga një eksponent i PS-së”. Të njëjtat akuza janë bërë edhe nga vetë Berisha herë pas here ndaj magjistrates.
Gjyqtarja kërkoi tetorin e kaluar nga SPAK që të hetojë deklaratat e Argitës dhe Berishës. Argita Malltezi në një konferencë për shtyp më 23 shtator 2024, tha se të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të strukturës së posaçme janë në dosjen e “Encrochat”.
Sipas vajzës së Berishës, “gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS 500 mijë euro që rë mos e fuste në grup të strukturuar kriminal.”
Po për këtë çështje Argita Malltezi u thirr më 9 janar në SPAK, për t’u pyetur lidhur me akuzat ndaj gjyqtares Gjoka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.