Nga Gazeta ‘Si’- Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re të vendit.
Përmes një postimi në X Kallas tha se është krijuar momentum i ri për t’i avancuar marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Kosovës si dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, prandaj vetë ajo është e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë.
Mes tjerash, Kallas ka përmendur edhe rëndësinë e kryerjes së reformave.
“Kjo është rruga më e shpejtë për t’ia hapur rrugën mbështetjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej qindra miliona eurove dhe të ketë përparim në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Kallas.
Kurtin e ka uruar edhe Komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjithashtu e ka përmendur nevojën për reforma dhe përfitime nga Plani i Rritjes i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Mezi pres ta vizitoj Kosovën shpejt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X.
Qeveria e re, në krye me Kurtin, ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.
Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



