Nga Gazeta ‘Si’- Rusia paraqet një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Bashkimit Evropian dhe mënyra e vetme për ta trajtuar këtë është rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, tha të mërkurën shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke shtuar se BE-ja i kishte ofruar Rusisë për një kohë të gjatë alternativa. Reagimin e saj shefja e Politikës së Jashtme të BE e dha gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes.
“Rusia përbën një kërcënim ekzistencial për sigurinë tonë sot, nesër dhe për aq kohë sa ne investojmë më pak në mbrojtjen tone. Njerëzit thonë se unë jam një ‘skifteri anti-Rus. Unë mendoj se jam thjesht realiste për Rusinë”, Kaja Kallas, shefja e Politikës së Jashtme të BE.
Kallas, një nga kundërshtarët më të zëshëm të Bashkimit Europian për presidentin rus Vladimir Putin, pranoi gjithashtu se Presidenti i SHBA Donald Trump kishte të drejtë kur tha se anëtarët e BE-së nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje.
Trump tha në fillim të këtij muaji anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë 5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtje – një rritje e madhe nga objektivi aktual prej 2% dhe një nivel që asnjë vend i NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk e arrin aktualisht.
“Koha nuk është në anën e Rusisë. Por nuk është domosdoshmërisht në anën tonë. Sepse ne ende nuk po bëjmë mjaftueshëm. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim në mendjen tonë se ne duhet të shpenzojmë më shumë për të parandaluar luftën. Por ne gjithashtu duhet të përgatitemi për luftë”, tha Kallas.
Në fjalimin e saj të parë madhor që nga marrja e detyrës në dhjetor, Kallas theksoi rëndësinë e konsolidimit të industrisë së mbrojtjes të BE-së. Ajo propozoi krijimin e një Tregu Unik për Mbrojtjen për t’u mundësuar shteteve anëtare të adoptojnë sisteme të përbashkëta ushtarake, duke rritur ndërveprimin midis forcave të tyre të armatosura.
Kallas sqaroi se BE-ja nuk kërkon një ushtri të vetme evropiane, por 27 forca kombëtare të afta për të punuar pa probleme së bashku për të adresuar kërcënimet, veçanërisht nga Rusia. Kallas përfundoi me një paralajmërim të ashpër: “Nëse evropianët nuk e marrin seriozisht mbrojtjen, nuk do të ketë Evropë siç e njohim ne për t’u mbrojtur”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.