Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim më përfaqësuesit e bankave tregtare, Guvernatori Gent Sejko shprehu pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi tranzicionin financiar në Shqipëri, nga paratë në dorë tek pagesat digjitale.
Sejko theksoi se procesi do të formalizonte ekonominë dhe do të ulte ndjeshëm evazionin fiskal, por shtoi se Shqipërisë i duhen rregullore të rrepta dhe të qarta, si edhe infrastrukturë e përshtatshme. Sejko i kërkoi bankave tregtare të pëfshihen në edukimin financiar të qytetarëve dhe të informohen mbi avantazhet e rreziqet e pagesave digjitale.
Në kuadër të kësaj nisme, Sejko rikujtoi datën e rëndësishme të 7 tetorit, kur do të nisë operacionalizimi i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, të cilat janë disa herë më të lira dhe më të shpejta sesa pagesat ndërkufitare që kryhen sot me bankat korrespondente. Guvernatori shtoi se krijimi i një faciliteti të tillë do të rrisë përdorimin e rrugëve digjitale për pagesat ndërkufitare, të paktën me vende të Bashkimit Europian, me rrjedhoja pozitive zinxhir për ekonominë shqiptare.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e kreditimit dhe vëmendje e veçantë kërkohet ndaj sektorit të bujqësisë, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në vend. Gjatë periudhës së fundit, bankat tregtare kanë intensifikuar ofertën e tyre për kredidhënie, duke prezantuar instrumente më fleksibël dhe modele financimi të përshtatura me nevojat e këtij sektori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



