Futboll

Kalimi i Asllanit tek Interi formalitet, 14 mln euro për Empolin

Gazeta Si – Ka një akord në princip për transferimin e Kristjan Asllanit tek Interi. Mesfushori kuqezi do të çojë në arkat e Empolit 14 milionë euro sipas këtij akordi mes dy klubeve.

Mbeten për t’u saktësuar vetëm disa detaje të fundit për zyrtarizimin e marrëveshjes. Por ajo është thjesht formalitet. Mund të ketë ndonjë lojtar të Interit të përfshirë në operacion për të bërë të mundur veshjen zikaltër të Asllanit.

Kristjan Asllani. Gazeta Si, 15 qershor 2022

Bëhet fjalë për Satriano, i cili duket se ka dhënë ‘ok’-in për kalimin tek Empoli. Ajo që është e sigurt tashmë lidhet me faktin se futbollisti shqiptar do të kalojë tek Interi.

Për Asllanin ishte interesuar edhe Milani kohët e fundit. Elbasanasi mori rol protagonisti që në sezonin e parë në Serinë A. Për 20-vjeçarin u vunë menjëherë në lëvizje klubet e mëdha dhe tani erdhi momenti që ai t’i bashkohet Interit si zëvendësuesi i Brozoviç.

Mesfushori pritet të jetë protagonist edhe me fanellën kuqezi në të ardhmen. Asllanit iu dha shansi nga Reja në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, por paraqitja e tij nuk ishte në nivelin që pritej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë