Trashëgimi

Kalaja e Bashtovës do t’i nënshtrohet restaurimit

fotografi ilustruese per kalane e Bashtovës

Nga Gazeta Si - Kalaja e Bashtovës do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë, si një nga sitet e trashëgimisë kulturore e përfshirë në programin EU4Culture.

Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë bën me dije se falë programit EU4Culture, financuar nga BE dhe implementuar nga UNOPS, Kalaja e Bashtovës do të restaurohet sipas teknikave më bashkëkohore, duke ruajtur të veçantën dhe historiken e saj.

Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët, duke promovuar në këtë mënyrë trashëgiminë kulturore.

Kalaja e Bashtovës ngrihet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve, për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin, si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra.

Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se është e vetmja në Ballkan e ndërtuar në fushë. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot ruhen si një monument kulture nga shteti shqiptar. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që gjendet vetëm disa km jashtë Kavajës, dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë