Treg

Kafeja në Shqipëri do shtrenjtohet sërish në tre muajt e parë të vitit

Nga Gazeta ‘Si’-‘Filxhani i kafesë është sinjalizuesi i historisë së inflacionit’.

Kështu shkruante në fillim të luftës në Ukrainë Forumi Ekonomik Botëror për rritjen e çmimeve të kafesë, e cila ndërsa inflacioni po ‘ftohet’ gradualisht’, do bëjë përjashtim duke vijuar rritjen si në Europë, ashtu edhe në Shqipëri.

Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bare-ve dhe Restoranteve thotë me shqetësim për Gazetasi.al se në tremujorin e parë të 2023-shit, do të ketë një rritje të mëtejshme të çmimit të kafesë.

Jahaj shprehet se në tremujorin e parë, do të ketë një rritje të mëtejshme të çmimit të kafesë

Kjo do të ndodhë për dy arsye. Së pari sepse do rriten çmimet e lëndës së parë në Europë.

“Rritja e prodhimit global të kafesë tejkalon atë të konsumit global me 0.8% gjë që ne shohim të rëndojë çmimet e kafesë”, parashikon FitchSolutions që merret me ofrimin e informacioneve dhe parashikimeve për tregje të ndryshme globale.

Moti i ngrohtë në dimër si dhe parashikimet për një verë të nxehtë mund të shkaktojnë sërish thatësirë të keqe në Brazil, ashtu siç ndodhi edhe vitin e shkuar duke shkaktuar një zinxhir të shtrenjtimit të çmimit të kafesë.

Ndërsa arsyeja e dytë vjen nga brenda tregut pasi sektori po has vështirësi në gjetjen e punonjësve.

“Mungesa e ndjeshme e fuqisë punëtore ka bërë që pronarët të detyrohen të rrisin rrogat, gjë që u ka shtuar kostot të cilat do të vijnë si boomerang dhe do shkarkohen tek konsumatori”, thotë ai duke shtuar se prej disa kohësh baret i kanë mbajtur në kurriz të tyre këto kosto të cilat tani nuk i amortizojnë dot më.

Si një produkt tërësisht importi, rritja e çmimeve në shtetet e huaja reflektohet shpejt edhe në tregun vendas, duke mos e përjashtuar atë nga një shtrenjtim prej 20 lekë më shumë këto muaj.

“Edhe ky vit pritet të jetë shumë i vështirë, një vit tranzitiv për shoqatën tonë, i përbërë nga kriza dhe çmime që presim të normalizohen sa më shpejt dhe të kemi një rikthim pozitiv në 2024-n”, thotë Jahaj mandej për Gazetasi.al.

Lokalet e vogla të lagjeve, që deri tani e kanë shitur kafenë me 60 lekë, priret të shkojnë drejt falimentimit nëse vazhdojnë kështu.

“Situata e çmimeve është e përkohshme. Në krahasim me vendet e rajonit ku kafeja kushton 1 euro, Shqipëria ka nivelin më të ulët, ndaj çmimi do të shkojë drejt këtij standardi nga 70 apo 80 lekë që është tani në vende specifike. Me dinjitetin që pretendojmë t’u jepet punëtorëve të shërbimit, çmimi duhet të jetë më i lartë”, shton Jahaj.

Aktualisht, në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

Rritja e çmimeve dhe pasiguria gjithmonë e ndryshon sjelljen konsumatore sipas Jahajt.

“Njerëzit priren të tkurrin shpenzimet e tyre dhe sjellja konsumatore jo vetëm në mendësi por edhe në klientelë. Krijohet një model i ri i sjelljes së klientit si në pandemi dhe njerëzit e konsumojnë atë në shtëpi”, shpjegon ai.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se çmimi i një filxhani kafeje u rrit me pothuajse 16.9% deri në gusht të vitit 2022.

Për ata që e merrnin kafenë me qumësht ose sheqer, ndikimi i inflacionit ka qenë edhe më i mprehtë, me çmimin e qumështit të freskët 24.3 më shumë% në gusht të vitit të shkuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Ndërsa çmimi i sheqerit në vendet e Bashkimit Europian u shtrenjtua me 33.4%.

Finlanda ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve të kafesë – deri në 44% deri në gusht. Rritjet më të mëdha të çmimeve të qumështit – mbi 50% – janë ndjerë në Hungari dhe Lituani.

Por rritja në Europë do vijojë sërish

Për vitin 2023, ne theksojmë se parashikimi ynë mesatar i çmimit të kafesë arabica tani është subjekt i rreziqeve më të rënda negative sesa më parë, pasi perspektiva jonë e rritjes për disa tregje kryesore të konsumit të kafesë, si BE, është dobësuar”, shkruan Fitchsolution.

Kafeja Arabica është standardi botëror për kontratat e së ardhmes së kafesë që tregtohen në Bursën Inter Continental (ICE). Arabica përbën 75 për qind të prodhimit botëror dhe kultivohet kryesisht në Brazil (40% të furnizimit total në botë) dhe Kolumbi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë