Kombetarja

Kaçe beson te tre pikët me Islandën: I dimë aftësitë tona

Edhe Ergys Kaçe ka folur para medieve në ditën e pestë të grumbullimit të kombëtares në Frankfurt të Gjermanisë. Mesfushori që mbylli këtë sezon në Greqi me Panathinaikosin ka thënë se të gjithë janë të vetëdijshëm se Islanda është një ekip shumë i fortë. Por sipas Kaçes edhe Shqipëria ka kualitetet e saj dhe do të bëjnë maksimumin për të dalë me tre pikët nga kjo transfertë delikate.

“Ne e dimë që Islanda është një skuadër e fortë ka lojtarë shumë të mirë. Por edhe ne jemi skuadër shumë e mirë dhe kemi lojtarë me kualitet. Unë besoj se nëse do jemi në 100%-in tonë do të marrim rezultat pozitiv.”

Ergys Kaçe me kombëtaren gjatë kampionatit Europian 2016 në ndeshjen kundër Zvicrës

Sa i përket trajneri të ri, Edi Reja, edhe Ergys Kaçe është i kënaqur me këtë fazë përgatitore, duke thënë se të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin. Kaçe që zhvilloi një sezon të mirë në Superligën greke tha se nuk e di nëse do të jetë në fushë nga minuta e parë në këto dy ndeshje, por se të gjithë ata që do të luajnë do të jenë të gatshëm të japin maksimumin.

“Sa herë vjen një trajner i ri të gjithë lojtarët japin maksimumin sepse duan të luajnë sa më shumë. Në këto ditë kemi bërë stërvitje shumë të mirë dhe besoj se për tre do të jemi akoma dhe më shumë gati. Besoj se uk do të jetë problem skema. Nuk e di akoma nëse do jem titullar, por besoj se nëse trajneri do më fusë në lojë do jam maksimumin tim.”

Ergys Kaçe nga parashikimet e deri tanishme të skemave dhe fazës që po zhvillon Reja pritet të jetë në stol në ndeshjen me Islandën. Për korçarin pritet të ketë disa minuta, mbase edhe nga fillimi në ndeshjen që do të luhet në “Elbasan Arena” me Moldavinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë