Gazeta “Si“- Shifrat e vaksinimeve tregojnë se vendi ynë është nën normën e vendosur nga OBSH.
Por ditët e fundit është shënuar një rritje e lehtë e vaksinimeve. Sipas mjekëve në qendrat shëndetësore 2 dhe 6 ka ardhur për shkak të rritjes së infektimeve.
“Është shtuar disi numri ditor i qytetarëve, nga 3-4 në ditë ka shkuar në 5-6. Kryesisht moshat e reja kërkojnë dozën e dytë, ndërsa të moshuarit kërkojnë më shumë dozën e tretë. Më pas për dozë të katërt numri është thuajse i papërfillshëm”, shprehen vaksinatoret.

Rritjen e lehtë të vaksinimeve e koonfirmon edhe Shefja e Shërbimit Epidemiologjik, Silva Bino.
E pyetur nga Gazetasi.al ajo shpjegon se ka një rritje të lehtë pothuajse në të gjitha qendrat.
“Ka rritje të vaksinimeve por nuk mjafton, duhet të kemi akoma më shumë”, thekson Bino.
Epidemiologja shton se në vjeshtë vala e Covid-19 do të vazhdojë në varësi të varianteve të tjera, nëse do të ketë.
Por Bino theskon se rëndesi për Covid-19 tani ka numri i rasteve dhe vdekjeve, të cilat parandalohen vetëm me vaksinim.
Në një prononcim më herët për Gazetasi.al, Bino ka paralajmëruar se do të rriten infektimet nëse njerëzit nuk vaksinohen.
Sipas Shefes së Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, në këtë periudhë është shumë e rëndësishme doza e tretë.
Përqindja e vaksinimit në popullatën target +12 vjeç është 51.3 % me një dozë. Ndërsa me dy doza është 47%. Me tre doza është 13.1 për qind. Ndërsa me dozën e katërt është në 0.2%.
Një problematikë e madhe në vendin tonë mbetet vaksinimi i ulët tek fëmijët.
Mjekët pediatër i kanë shpjeguar Gazetasi.al se prindërit nuk pranojnë që fëmijët të marrin vaksinën anti-covid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




