Kosova

‘Ka ngjallur mosbesim te aleatët’, Haradinaj thirrje deputetëve: Ta shkarkojmë Kurtin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u kërkoi deputetëve të Kuvendit të nisin një mocion mosbesimi dhe të shkarkojnë qeverinë e kryeministrit Albin Kurtit.

Ai tha se Kurti ka mbjellë pabesi të madhe ndaj aleatëve më të mëdhenj të Kosovës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë elementi kryesor që ka garantuar shtetësinë e Kosovës.

“Ne përballemi me Serbinë që prej se kur ekzistojmë, kemi pasur dhe kemi armiqësi dhe kjo nuk është diçka e re. Planet e tyre për pengimin e Kosovës i dimë mirë.

Kemi të bëjmë me një mosbesim deri në pabesi, jo befasi. 

Kurti i sotmi, dikur kreu i VV, ka ngjallur, ka krijuar mosbesim të brendshëm, e ka ushqyer atë dhe është rritur me ketë mosbesim. Ka kultivuar një mosbesim edhe me aleatët.

Kurti ka nxitur poshtërim të të gjitha figurave dhe vlerave të krijuara me mund. Kurti është sinonim i poshtërimit deri në pabesi, ka poshtëruar aparatin shtetëror dhe ka poshtëruar edhe popullin e vet, ka elemente të tradhtisë mashtrimi i Kurtit. Ai po tenton t’i mashtrojë edhe aleatët e sigurisë, garantët e sigurisë tonë.

Mashtrimet e tij janë tradhti e llojit të vetë. Është detyra jonë, që të reflektojmë se çfarë po na ndodh. Nga kjo fiton Rusia, armiqtë tanë, fiton Serbia dhe bandat. Të shkojmë në mocion dhe ta ndërpresim dhe ta shkarkojmë qeverinë Kurti”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë