Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Durrësit ka zbardhur dinamikën e krimit në familje, ku djali Esmerald Balla 30 vjeç, vrau të atin Enver Balla 62 vjeç dhe më pas trupin e hodhi në një pus larg banesës.
Për të fshehur krimin, djali vrasës në datën 13 gusht ka shkuar në polici dhe ka denoncuar se babai i tij është larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet.
Ai ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se sipas tij babai ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, policia tregon se madje djali ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Ndërkohë djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B, pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Strukturat hetimore, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
Pasi u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit, ai ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.
Si e vrau dhe ku e fshehu armën
Sipas policisë 30-vjeçari, më datë 13 gusht, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka trasportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka gjetur trupin e shtetasit Enver Ballës dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Trupi i tij u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit, për ekzaminim mjeko-ligjor.
Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.