Nga Gazeta Si – “Mos harroni, ka gjithmonë dy anë në çdo histori. Të kuptuarit është një shpatë me tre tehe. Ana juaj, ana e tyre dhe e vërteta me shumë mundësi qëndron në mes. Merrni të gjitha faktet përpara se të nxirrni përfundime të shpejta”, thotë artisti amerikan J. Michael.
Kjo shprehje përshkruan në tërësi edhe ekspozitën “There are two sides to every story”, nga skulptori Ardian Pepa, i cili është autor i një sërë veprash monumentale.
Ekspozita e hapur në Galerinë Fab është e ndarë në tri seksione: (mbërthyer, mendime të krehura dhe zbërthyer). Veprat e artit në këtë ekspozitë sipas kuratorit Ardian Isufi prezantohen për herë të parë për publikun.
Skulptori Ardian Pepa thotë për Gazetën “Si” se këto skulptura dhe instalacione pasqyrojnë dy anë të medaljes.
“E gjithë ekspozita ndahet në tri seksione. Dhe të tria bazohen në procesin tim në studio. Janë punë që janë bërë për klientë të ndryshëm, janë portrete të lëna në harresë dhe të mbuluar nga pluhuri i kohës, pra njëra anë e historisë. Ana tjetër i sjell këto vepra jo më si skulpturë, por si objekt i kthyer në instalacion dhe në vend të pluhurit të studios i vesh me xixa për t’iu dhënë shkëlqimin e duhur”, shprehet skulptori për Gazetën “Si”.
Ardian Pepa hulumton dhe sjell gjurmë historike, duke sjellë figura me peshë në historinë e Shqipërisë, si Nënë Tereza, Skënderbeu, etj, por edhe personazhe mitologjike, territore të shkelura dhe të pashkelura…
“Kam përdorur figura historike dhe figura familjare dhe të zakonshme, pra duke i bërë bashkë sepse për mua janë me të njëjtën ndjesi krijimi. Por duke krijuar situata të ndryshme gjatë vendosjes ndërmjet personazheve dhe duke i ngritur në një dimension tjetër nga ajo e studios”, vijon më tej skulptori.
Përpos skulpturave që qëndrojnë në mjediset e Galerisë qëndron edhe një kalë i paraqitur si instalacion.
“Kali është brenda procesit të porosisë, por e kthyer në instalacion me frymë bashkëkohore duke i vënë në dukje simbolikën që përfaqëson, forcën, bukurinë etj.”
Skulpturat e paraqitura duken sikur janë të veshura me xixa të kuqe. Por sipas skulptorit e kuqja vjen si simbol i sakrificës.
“Ngjyra e kuqe te skulpturat vjen si simbol i gjakut dhe sakrificës, si në anën e figurave që shumë personazhe nuk jetojnë më dhe nga ana tjetër sakrifica ime për t’i bërë dhe përjetësuar”, përfundon Pepa për Gazetën “Si”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt në Galerinë FAB.
Ardian Pepa është skulptor me karrierë të gjatë në artet figurative dhe realizues i shumë veprave monumentale, në Shqipëri dhe jashtë saj.
Përpos shumë ekspozitave në vend, ai është edhe fitues i çmimit të parë për monumentin kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.