Shendet

Ka dështuar rimbursimi i medikamenteve të Covid-19 për ata që trajtohen në shtëpi

Covid-19 ka shkaktuar një krizë ndërkombëtare në ekonomi dhe sistemin shëndetësor. Në Shqipëri rastet e para me Covid-19 u raportuan më 9 mars 2020 dhe që prej asaj dite janë bërë 443.748 testime përmes testimit PCR dhe kanë rezultuar pozitiv 101,285 persona.

Sa ka ndikuar pandemia në ekonominë e familjeve shqiptare?

Shoqata “Together fo life” ka publikuar një raport për të treguar shpenzimet që ka një pacient që në momentin që dyshon për Covid-19.

Në fillim, Ministria e Shëndetësisë vendosi që menaxhimin e qytetarëve të cilët ‘ankoheshin’ për simptoma të ngjashme me Covid-19 apo që kishin nevojë për të shkuar në spital, ta kryente përmes shërbimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Në këtë mënyrë u shkëput lidhja që ekzistonte midis mjekut të familjes dhe pacientit të tij, si edhe sistemi i referimit mjek i familjes-specialist. Gjatë kësaj periudhe nuk kishte asnjë udhëzues klinik për mënyrën e trajtimit të Covid-19 në shtëpi sipas gradave dhe kur duhej shtruar në spital një person.

“Vetëm pas shtatë muajsh, më 14.10. 2020 Ministria e Shëndetësisë miratoi përmes Urdhrit Nr. 579, dt. 14.10.2020 “Miratimin e udhëzuesit mbi ndjekjen në shtëpi të rasteve me infeksion Covid-19””, thuhet në raport.

Ky udhëzim e ndau ecurinë e sëmundjes në katër stade:

1. Forma e lehtë (Stadi I)

2. Forma e mesme (Stadi II)

3. Forma e rëndë (Stadi III)

4. Forma shumë e rëndë (Stadi IV)

Ky udhëzim përcakton që mjekët e familjes mund të trajtojnë në shtëpi rastet e lehta dhe të mesme dhe mjekimin e pacientëve sipas stadeve.

Te pacientët në moshë të re dhe të pashoqëruar me sëmundje të tjera, në stadin e lehtë do jepen:  Vitamina terapi (Vit. C), Lëngje, Antipiretikë kur ka temperaturë, Trisol kur ka diarre, Shurup për kollë kur ka kollë, Për të sëmurët kronikë mund të fillohet edhe antibiotik (azitromicin ose levofloxacin) si edhe antikoagulantë.

Në format e mesme Stadi II:  Antibiotikë,  Kortizonikë,  Antikoagulantë,  Vitaminoterapi,  Antipiretikë,  Shurup për kollë, Ky udhëzues përfshin kryerjen e CT në ditën e pestë, por nuk përfshin analizat e gjakut që duhen kryer me qëllim monitorimin e parametrave specifikë për sëmundjen Covid-19 (PCR, D-Dimer, Ferretinemi, gjak komplet).

Cili është roli i mjekut në trajtimin e pacientëve që do të kurohen në shtëpi?

Mjeku i familjes ka rol në mjekimin e pacientit, por edhe në lëshimin e recetës me rimbursim. Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 908 dt.18.11.2020 “Për miratimin e paketës së trajtimit COVID-19 ambulator në banesë, që do të financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, përcakton që përfitojnë recetë me rimbursim pacientët që janë konfirmuar pozitivë me tampon nga institucionet shëndetësore publike, duke eliminuar marrjen në konsideratë analizën e tamponit të kryer në institucionet private. Ky vendim kufizon shumë numrin e personave që mund të marrin receta me rimbursim krahasuar me ata që kanë nevojë, “sepse institucionet shëndetësore publike kryejnë shumë pak testime krahasuar me nevojën, madje jemi vendi i fundit në rajon testime për million banorë”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër, OBSH-ja në udhëzuesit e saj përcakton edhe diagnostikimin kliniko-imazherikepidemiologjik për rastet me Covid-19, metodë që nuk përfshihet fare në këtë udhëzim apo në VKM-në për përfitimin e barnave me recetë me rimbursim. Gjithashtu, vendimi për rimbursimin nuk merr në konsideratë pacientët që e kanë kaluar Covid-19, janë mjekuar në shtëpi dhe kanë harxhuar shuma financiare, të cilat nuk rimbursohen. Vendimi gjithashtu nuk merr në konsideratë ekzaminimet që kryhen gjatë ecurisë së sëmundjes, por që nuk mund të kryhen në institucionet publike për shkaqe të ndryshme.

Në raport shkruhet se sistemi shëndetësor shqiptar është i ndërtuar në tre nivele: kujdesi shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor. Kujdesi shëndetësor parësor është i përbërë prej 416 qendrash shëndetësore, ku janë të punësuar 1,504 mjekë familjeje dhe 6,784 infermierë. Qendrat shëndetësore ofrojnë një paketë prej 7 shërbimesh: urgjenca, kujdesi për fëmijët, kujdesi për gruan shtatzënë, kujdesi për të rritur, kujdesi për moshën e tretë, shëndeti mendor, edukimi dhe promocioni.

“Qendrat shëndetësore në përgjithësi nuk kanë laboratorë gjaku apo imazheri, përveç disa qendra bashkish (Divjakë, Patos) aty ku nuk ka spital, si edhe qendrat shëndetësore të specialiteteve në Tiranë”, vijon raporti.

Mjekët e familjes i rekomandojnë pacientët për kryerjen e analizave apo ekzaminimeve imazherike në poliklinikat e bashkive (out-patient service) që janë nën administrimin e spitaleve ose në qendrat shëndetësore të specialiteteve në Tiranë, ku janë katër me specialitete të ndryshme dhe një specifike me specialistë të mushkërive (Dispanseria). Kujdesi shëndetësor dytësor është i përbërë prej spitaleve bashkiake dhe atyre rajonale. Këto spitale kanë, ndër shërbimet e tjera, edhe shërbimin e laboratorit dhe të imazherisë. Kujdesi terciar ofrohet vetëm në Tiranë dhe përbëhet nga QSUT “Nënë Tereza”, Spitali “Shefqet Ndroqi”, spitali i Traumës dhe Maternitetet.

Lëvizja e pacientit në sistem kryhet përmes sistemit të referimit ku, për çdo kujdes shëndetësor të specializuar, pacienti lëviz nga mjeku i familjes, mjeku specialist në bashki, spitalin rajonal, kujdesin terciar. Që të kryesh një analizë gjaku specifike në poliklinikat e Tiranës sipas sistemit të referimit dhe sistemit të rezervimit, duhet të presësh 1 muaj. Të kryesh një CT-skaner duhet të presësh më gjatë, sepse pika e referimit në Tiranë për sëmundjet e mushkërive ka qenë spitali “Shefqet Ndroqi” në Sauk, si spital i specializuar në sëmundjet pulmonare, por edhe si spital rajonal për Tiranën.

Dispanseria si pikë referimi për konsultime me specialistë pneumologë ka imazheri që kryen grafi dhe skopi. Kështu që pacientët janë të detyruar të kryejnë këto ekzaminime në institucionet shëndetësore private. Kostoja e këtyre ekzaminimeve shkon 36,500 lekë.

Ndërkohë, një tampon PCR tek privatët kushton 12 mijë lekë, një skaner kushton nga 15 mijë-25 mijë lekë, mesatarisht 18 mijë lekë, një grup analizash të gjakut për të vlerësuar të gjithë parametrat që lidhen me Covidin kushtojnë midis 10-12 mijë lekë.

Thënë kjo, diagnostikimi, kur nuk bëhet nga sistemi publik, shkon nga rreth 35-70 mijë lekë, me një mesatare prej 41 mijë lekësh. Vendimi i qeverisë nr. 908, dt.18.11.2020 “Për miratimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me Covid-19 që do të financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, vendosi rimbursimin e dy paketave për trajtimin ambulator sipas stadeve. Por, ky vendim nuk përfshin në rimbursim analizat laboratorike dhe ekzamimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të ecurisë klinike të pacientit.

Sipas një raportimi të emisionit “Top Story”, kostot e trajtimit të Covid-19 në një fazë fillestare kushtojnë minimalisht 3,000 lekë për një javë, ku përfshihen: një mbrojtës stomaku, Paracetamol për temperaturën, Vitaminat C dhe Vitaminë D, Zink, antikoagulantë, elektrolitet që bëjnë stabilizimin e natriumit dhe kaliumit, shurup për kollë.

Në stadin e dytë kostoja rritet sepse, veç medikamenteve të mësipërme, shtohen antibiotiku (Azitromicinë, Levofloksacinë) dhe në varësi të përqindjes të prekjes së mushkërisë, mund të përdoren dy antibiotikë, të cilët zakonisht në këto raste janë injeksione dhe kanë kosto prej 1,300 lekësh për flakon. Për trajtimin duhen minimalisht 10 flakone x 1,300 lekë = 13000 lekë. Pavarësisht se nuk këshillohet oksigjenoterapia në shtëpi, shumë prej personave që iu ulet oksigjeni në gjak poshtë 93%, marrin aparatura oksigjeni ose bombola oksigjeni. Një bombolë 8-litroshe oksigjeni kushton 13,000 lekë. Ndërkohë, aparatet e oksigjenit elektrike kushtojnë 800-900 euro për t’u blerë, por kanë filluar të jepen me qira me një shumë prej 7,000 lekësh për dy javë. Në këto llogari nuk janë përfshirë antiviralët, të cilat detyrohen që t’i marrin shumë persona. Këta antiviralë shiten në tregun informal 400-800 euro.

“Kostoja e mjekimit në shtëpi paguhet e gjitha nga xhepi i qytetarëve dhe nuk është rimbursuar asgjë nga skema e sigurimeve deri në nëntor 2020”, shkruhet në raport.

VKM 908 “Për miratimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me Covid-19 që do të financohet nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit Shëndetësor” vendosi rimbursimin e vetëm dy paketave për trajtimin ambulator sipas stadeve:

1. Për formën e lehtë, rimbursim deri në vlerën 1,650 lekë

2. Për formën e mesme, deri në 10,900 lekë.

Të dyja këto shuma janë shumë larg vlerës reale të trajtimit ambulator. Por, çmimi i medikamenteve dhe ekzaminimeve nuk janë e vetmja kosto që duhet të paguajnë pacientët me Covid që trajtohen në shtëpi. Një i sëmurë Covid që duhet të kryejë edhe injeksionet, duhet të përballojë edhe koston e shërbimit në shtëpi nga infermieri, që në Tiranë ka shkuar deri në 10,000 Lekë në ditë.

Në rastet kur infektohen gjithë familja, kjo shumë shumëfishohet.

“Për katër anëtarë, duhet të kesh mënjanë të paktën 800,000 lekë për të përballuar infektimin me Covid-19”, vlerëson raporti.

Një problem tjetër që nënvizohet është edhe shërbimi spitalor.

“Pacientët në stadin e tretë (të rëndë) duhet të shtrohen në spital, por aksesi i qytetarëve ndaj shërbimit spitalor për Covid-19 është shumë i ulët”.

Spitalet bashkiake apo rajonale ( deri më dt. 26.11.2020) nuk ka pasur asnjë pavion që të trajtojë pacientët me Covid-19. Vetëm në urgjencën e tyre janë krijuar dhoma izolimi, ku qëndronin pacientët e dyshuar për Covid-19 deri në marrjen e përgjigjes së tamponit. Pas përgjigjes së tamponit, këta pacientë ose dërgoheshin në Tiranë në spitalet Covid 1 dhe 2, ose shkonin në shtëpi. Mos hapja e pavionëve Covid në spitalet rajonale, uli shumë aksesin e pacientëve ndaj shërbimit të specializuar dhe si rrjedhojë rriti edhe gjasat për komplikacione të mëtejshme. Sipas statistikave botërore, 10% e personave të prekur me Covid kanë nevojë për kujdes spitalor. Në dt. 25.11.2020 Ministria e Shëndetësisë deklaroi 17,170 raste aktive në Shqipëri, çka do të thotë që 1,717 pacientë kishin nevojë për kujdes spitalor, nga të cilët 3% = 510 pacientë kishin nevojë për kujdes reanimator. Por, deri më dt.25.11.2020 në dispozion të trajtimit të pacientëve me Covid-19 ishin vetëm dy spitale që prisnin urgjenca dhe trajtonin pacientët: spitali Covid1 me 150 shtretër dhe spitali Covid2 me 210 shtretër. Spitali Covid3 me 150 shtretër është shtojcë e spitalit Covid1, sepse nuk pret urgjenca dhe shtrime, por vetëm transferime nga spitali Covid1. Pra, në total ishin 510 shtretër dhe duheshin edhe 1200 shtretër të tjerë spitalorë për kujdesin ndaj pacientëve me Covid-19.

“Ka një nevojë të paplotësuar për kujdes shëndetësor, ndërkohë që rreth 7719 shtretër (burimi FSDKSH) spitalorë në gjithë vendin mbeten të pashfrytëzuar”. Në 11 spitale rajonale, së bashku me spitalin e Sarandës dhe Lushnjës (të cilët kanë status spitali rajonal), në përbërje të tyre kanë 3751 shtretër ku, nëse 937 shtretër e tyre do të përdoreshin për të trajtuar pacientët me Covid-19, do të rrisnin aksesin e kujdesit shëndetësor të specializuar ndaj pacientëve dhe njëkohësisht do të ulnin gjasat për komplikacione të mëtejshme.

Vendosja në funksion e spitaleve rajonale me investime minimale (duke pasur parasysh që ato kanë reanimacione ekzistuese, kanë personel Infeksionist, Pneumolog, Kardiolog, Reanimator, laboratorë për diagnostikim, CT-Skaner, grafi) duke blerë disa C-PAP & B-Pap që kushtojnë mesatarisht 5,000 Euro/ njësi (një investim minimal prej 325,000 Euro), do të trajtonin më mirë pacientin bazuar në udhëzuesin e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në fazën e mesme dhe të rëndë.

Ndërkohë që familjet shqiptare janë më të varfrat në rajon, ku sipas Eurostat 2019, një familje shqiptare harxhon 9,500 PPP (Barazia e fuqisë blerëse), duke zënë vendin e fundit në rajon, ato shpenzojnë 13.7 % të buxhetit familjar për shërbime shëndetësore.

Nga ana tjetër, sipas raportit “Can people afford to pay for health care?” (A ia dalin njerëzit të paguajnë për shërbimin shëndetësor?), nga OBSH 2019, Shqipëria është vendi i parë për përqindje të pagesave nga xhepi në totalin e shpenzimeve shëndetësore, me 58%.

Nisur nga përllogaritjet për koston e trajtimit të pacientëve me Covid-19 në shtëpi, duke nisur nga 45,000 lekë në stadin e parë dhe mbi 1,000 euro në stadin e dytë dhe më të avancuar, barra financiare e një familjeje mesatare shqiptare për kujdesin shëndetësor në këto kohë shkon deri në 10% e të ardhurave vjetore për një person dhe mbi 70% për një familje me 4 persona nëse sëmuren të gjithë.

“Shumica e familjeve shqiptare do të bien në varfëri nga shpenzimet shëndetësore për trajtimin e Covid-19 në shtëpi”, përfundon raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë