Nga Gazeta ‘Si’– Anëtarësimi në NATO, ishte lëvizja më e zgjuar në politikën e jashtme që nga themelimi i Republikës Turke. Gjatë Luftës së Ftohtë, anëtarësimi në aleancë e frenoi pushtimin e saj nga Bashkimi Sovjetik, dhe ndihmoi në sigurimin e hapësirës për zhvillimin e saj ekonomik si një aleate e Perëndimit.
Atëherë, pse aleanca duhet të përballet vazhdimisht sot me një udhëheqës turk jo-bashkëpunues dhe ndonjëherë edhe shumë agresiv si presidenti Recep Tayyip Erdogan? Duket se në çdo rast, ai është i përkushtuar për të sabotuar aleancën transatlantike. Ndaj a ka ardhur koha që NATO të rishikojë anëtarësimin e Turqisë?
Por gjërat nuk kanë qenë gjithnjë kështu. Diplomatët turq ua kujtojnë shpesh homologëve të tyre ndërkombëtarë, se Turqia jeton në një rajon problematik, dhe se ruajtja e sovranitetit të saj është një dëshmi e aftësisë së brezave të shtetarëve turq, të cilët punuan pa u lodhur për ta mbajtur të sigurt Ankaranë.
Sigurisht, kjo arritje meriton të vlerësohet. Udhëheqja e Ismet Inonu, ishte e rëndësishme në mbajtjen e Turqisë jashtë Luftës së Dytë Botërore, si dhe për shmangien e pushtimit nga Gjermania naziste, ndërkohë që ishte ende një aleate e Perëndimit. Po ashtu, regjimi kemalist ishte mjaftueshëm largpamës për të shmangur përfshirjen e republikës së re në çdo konflikt ndërkombëtar, kryesisht sepse kjo do të pengonte zhvillimin ekonomik të vendit.
Megjithatë, më shumë se një aftësi diplomatike, ajo që i dha mundësi Turqinë të ndiqte qëllimet e saj zhvillimore, ishte siguria që i garantoi anëtarësimi në NATO. Turqia u pranua në aleancë në vitin 1952 së bashku me Greqinë, për shkak të besimit të administratës Truman se frenimi i komunizmit në Evropë nuk mund të arrihej pa anëtarësimin e tyre.
Anëtarësimi në NATO, së bashku me ndihmën e ofruar nga Doktrina Truman në formën e ndihmës monetare (400 milionë dollarë për Greqinë dhe Turqinë) dhe asaj ushtarake, i dha mundësi Ankarasë të ndërtonte një ushtri të aftë dhe moderne, si dhe republikës një pjesë të madhe të peshës që e kishte kërkuar prej kohësh nga rreshtimi me Perëndimin.
Gatishmëria e Ankarasë për të luajtur role ushtarake në misionet jetike të NATO-s si në Kosovë dhe Afganistan, i dha Turqisë një zë të rëndësishëm brenda aleancës. Për pasojë, shumë administrata amerikane i kanë kushtuar vëmendje të veçantë adresimit të shqetësimeve të sigurisë së Ankarasë, qoftë separatizmit kurd apo kërcënimeve nga Rusia e Vladimir Putinit.
Në nëntorin e vitit 2015, pasi Turqia rrëzoi një avion luftarak rus në hapësirën e saj ajrore (rasti i parë nga një vend i NATO-s që nga viti 1952), Putin duhej të analizonte me shumë kujdes situatën, nëse do të kundërpërgjigjej apo jo ushtarakisht kundër një anëtari të NATO-s.
Mjafton të thuhet se pa anëtarësimin në NATO, ka arsye të forta të besohet se Turqia mund të kishte pësuar një fat të ngjashëm me atë të Ukrainës që nga viti 2014. Por ato ishin kohët e vjetra të arta. Që nga marsi i 2022-it, shumica e popullsisë turke e percepton SHBA-në si kërcënimin më të madh për Turqinë, ndërsa vetëm 19 për qind e shohin kështu Rusinë.
Dhe nën udhëheqjen e Erdoganit, Ankaraja ka punuar pa reshtur për ta dobësuar sigurinë e NATO-s. Për shembull kujtojmë zgjerimin e NATO-s në Skandinavi, të cilin Erdogan e mban peng që nga viti 2022. Çfarë kërkon ai që të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë?
Përgjigje:që Uashingtoni të pranojë t’i shesë Turqisë avionët e rinj luftarakë F-16, dhe ndoshta një takim me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë. Por transaksionet nuk duhet të përcaktojnë sjelljen e aleatëve të NATO-s; përkundrazi këtë të fundit duhet ta bazojnë tek vlerat dhe perceptimet e përbashkëta mbi kërcënimet.
Arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e duan Suedinë në NATO, është sjellja luftarake e Rusisë, e cila po e kërcënon sigurinë evropiane. Dhe pranimi i Suedisë do të ndihmojë në forcimin e NATO-s kundër këtij kërcënimi. Megjithatë, Turqia nuk po bën as minimumin për të penguar kërcënimin e paraqitur nga Rusia.
Madje në vitin 2019, Turqia shkoi deri në blerjen e pajisjeve ushtarake ruse (sistemit raketor S-400), që minon drejtpërdrejt kohezionin e NATO-s. Pikërisht për shkak të kësaj lëvizjeje, Ankaraja u përjashtua nga programi i Shteteve të Bashkuara të avionëve F-35, dhe u ndëshkua me sanksionet CAATSA nga administrata Trump.
Megjithatë, Erdogan nuk ka bërë asgjë për t’u tërhequr nga ky pozicion i papranueshëm. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, administrata Biden i është lutur Erdoganit – nganjëherë duke sanksionuar kompanitë turke – që të bëjë më shumë për të parandaluar sigurimin nga Turqia të një mjedisi financiar tolerant që i ka lejuar oligarkët rusë të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare dhe të lëvizin paratë anembanë botës nëpërmjet Turqisë.
Erdogan jo vetëm që dështoi ta bëjë këtë, por raportimet e fundit kanë zbuluar se Turqia ka siguruar hapësirë në ujërat e saj territoriale për jahtin personal të Putinit. Gjatë viteve 2019- 2022, Erdogan e minoi hapur sigurinë dhe sigurinë e Mesdheut Lindor duke kërcënuar se do të pushtojë Greqinë aleate të NATO-s, dhe do të aneksojë një pjesë të Qipros, për shkak të pretendimeve të diskutueshme për ujërat territoriale, veçanërisht në lidhje me të drejtat e shpimit për gazin natyror.
Ndërsa qëndrimi agresiv i Erdoganit në rajon duket se është zbutur këtë vit, ai është zëvendësuar nga mbështetja e vazhdueshme e Turqisë për terrorizmin. Në vazhdën e sulmeve terroriste të Hamasit më 7 tetor, që i morën jetën më shumë se 1200 njerëzve në Izrael, mbështetja e turpshme e Ankarasë për këtë organizatë terroriste, të njohur si të tillë nga SHBA-ja, është vënë nën një mbikëqyrje të shtuar.
Nëse Ankaraja do të aplikonte sot për t’u anëtarësuar në NATO, ajo nuk do të shqyrtohej dhe aq më pak të miratohej. Arsyeja e vetme pse Ankaraja duhet të tolerohet, është për faktin se nuk ka asnjë mekanizëm për largimin e një anëtari pasi ai të jetë anëtarësuar.
Me shumë gjasa arkitektët e aleancës nuk e kanë menduar kurrë se një ditë, NATO-s do t’i duhej të hartonte një strategji kundër një kërcënimi që vjen nga njëri prej anëtarëve të saj. Ndryshimi i rregullave të anëtarësimit mund të jetë i vështirë. Por tani është koha e duhur kur duhet të nisë një diskutim i tillë, duke pasur parasysh edhe sfidat e shumta me të cilat përballet Hemisfera Perëndimore.
Më së paku, anëtarët e NATO-s duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të bien dakord që të mos i shesin Ankarasë asnjë aftësi mbrojtëse, siç janë avionët luftarakë, për sa kohë që ajo mban ende armët dhe sistemet ruse, të cilat mund ta degradojnë mbrojtjen kolektive.
Administrata Biden dhe Departamenti i Shtetit, të cilët vazhdojnë të tolerojnë, për të mos e humbur Turqinë si aleate, duhet ta vendosin tani Erdoganin para një zgjedhje:Ndaje mendjen, ose je një aleat i NATO-s që pranon vlerat tona të përbashkëta, ose nuk je i tillë.
Burimi: Foreign Policy/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




