Futboll

Juventusi ‘shtyp’ Lacion me dyshen Vlahoviç-Kieza, Hysaj vetëm një pjesë në fushë

Gazeta Si – Juventusi e ka dominuar ndeshjen ndaj Lacios që në fillim, duke qenë agresiv përpara dhe kjo është risia e këtij sezoni. Mbi të gjitha Alegri duket se ka gjetur më në fund një dyshe sulmi që funksionon, Kieza-Vlahoviç.

Bardhezinjtë kanë fituar 3-1 dhe janë ngjitur në kuotën e 10 pikëve. Një mesazh i qartë ky për rivalët në kampionat se janë edhe ata në garë për titullin. Ishte një ndeshje thuajse perfekte për të besuarit e Alegrit, gjithë kohën padronë të fushës.

Dushan Vlahoviç zhbllokoi shifrat dhe më pas Kieza dyfishoi që në pjesën e parë. Lacio nuk u shfaq thuajse asnjëherë rrezikshëm, përveç atij episodi që solli golin e Luis Albertos pas një prej gabimeve të pakta të mbrojtjes së Juventusit. Vlahoviç realizoi më pas një gol të mrekullueshëm, duke ‘vulosur’ rezultatin në 3-1.

Elseid Hysaj e nisi këtë ndeshje titullar, por qëndroi në fushë vetëm gjatë 45 minutave të para. Trajneri Mauricio Sarri e ndërroi në pushim, kur rezultati ishte 2-0. Lacio nuk ishte ajo e ‘Maradonës’, që mundi Napolin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë