Juventusin mund ta nxjerrë nga kriza ekonomike Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios që vitet e fundit ka ditur të veprojë me zgjuarsi, duke bërë blerje me kosto të ulët. Klubi torinez po e vlerëson seriozisht këtë pistë, sipas “cialciomercato.com”, madje Andrea Anjeli ka nisur lëvizjet e para, pasi ka shumë nevojë për një drejtor sportiv si Tare për të rregulluar bilancin.
Juventusi kërkon t’ia rrëmbejë ish-kapitenin e Kombëtares së Shqipërisë Lotitos, por nuk do ta ketë aspak të lehtë, sepse presidenti i Lacios është një personazh shumë i vështirë në këtë drejtim. Lotito bashkëpunon me Taren prej shumë vitesh dhe ka një marrëdhënie të konsoliduar me të, pavarësisht ndonjë përplasjeje të momentit.

Kujtojmë që më parë për Igli Taren ka pasur interes edhe nga klube të tjera të mëdha të Serisë A, siç janë Milani dhe Interi. Në asnjë nga këta dy raste Tare nuk ka vendosur të largohet nga Lacio dhe gjasat janë që e njëjta gjë të ndodhë edhe tani me Juventusin. Megjithatë, janë ende hapat e parë të klubit bardhezi në këtë çështje dhe duhet pritur për të mësuar se çfarë do të ndodhë konkretisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




