Gazeta Si – Juventusi vazhdon ngjitjen në kampionat. Në ‘Stadium’ skuadra e Alegrit mundi 3-0 Lacion, duke regjistruar kështu fitoren e 6-të radhazi, që e ngjit në vend të tretë në klasifikim para ndërprerjes së garës për shkak të Botërorit.
Në ndeshjen përmbyllëse të javës së 15-të të Serisë A, Juventusi fitoi ndoshta më lehtë nga sa mund të kishte menduar. Një 3-0 e pastër, që sjell parakalimin e Lacios në renditje, me 31 pikë.
Moise Kean ishte protagonisti kryesor i mbrëmjes me dy gola. Ai zhbllokoi shifrat në fundin e një pjese të parë të ekuilibruar, pas një asisti vertikal të Rabiot. Në pjesën e dytë shënoi edhe golin e dytë, duke shtyrë në rrjetë topin e grushtuar nga Provedel, pas gjuajtjes së Kostiç.
Në fund Milik ‘firmosi’ rezultatin në 3-0 dhe Juventusi e Alegri mund të buzëqeshin.
Detyrën bëri sot edhe Interi, që mundi 2-3 Atalantën në Bergamo, falë dopietës së Xhekos dhe një goli të Lautaro Martinez. Milani pati shumë fat ndaj Fiorentinës, pasi mori tri pikët falë një autogoli të Milenkoviç në shtesë. Roma nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Torinos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




