Futboll

Juventusi ndryshon objektiv pas 4 humbjesh në 11 javë, sheh vetëm vendin e 4-t

E kanë kaluar edhe Gabeto, Anastazi, Betega dhe Kapelo. Ka shkuar edhe më keq për Borel, Parola, Boniperti, Çarls, Sivori, Brio, Kabrini dhe Shirea. Nuk është hera e parë në historinë e Juventusit që pas 11 javësh të pësojë 4 humbje, i ka ndodhur edhe më parë. Por nëse historia përsëritet, analet në këtë pikë thonë se është e ndaluar fjala “titull”.

Në fakt, nuk duheshin analet, mjafton logjika: në fund të kësaj jave bardhezinjtë mund ta shohin veten 16 pikë larg kreut. Në rastin më të mirë Juventusi mund të synojë zonën Champions, në precedentët e mëparshëm të nisjeve horror, maksimumi e ka përfunduar kampionatin në vend të 4-t, që do të thotë një vend në Europën që vlen.

Katër fitore, tre barazime dhe katër humbje. Ky është bilanci i deritanishëm i Alegri-bis, i njëjtë me atë të sezonit 1941-42, kur skuadra e Gabetos e mbylli në vend të 6-të. E njëjta ecuri edhe në sezonin 1968-69, kur Juventusi i drejtuar nga Anastazi e mbylli në vend të 5-të. Edhe në sezonin 1970-71, me Betegën, Kausion, Furinon dhe Kapelo, ndodhi kështu, por Juventusi zuri vend të 4-t, pas Interit, Milanit dhe Napolit.

Katër herë në histori Juventusi ka pësuar 4 humbje pa shkuar ende në javën e 11-të. Në sezonet 1961-62, skuadra e Çarls dhe Sivori humbi me Padovën, Atalantën, Torinon dhe Interin dhe përfundoi në vend të 13-të. Në sezonin 1938-39, me Borel në krye, humbi me Lukezen, Romën, Interin dhe Bolonjën. Kështu ka ndodhur edhe në sezonin 1987-88, kur Juventusi është mundur nga Empoli, Verona, Interi, Çezena dhe Napoli. Ka shkuar edhe më keq në sezonin 1948-49, kur humbja e 4-t u pësua që në javën e 8-të.

Tani, pas 11 javësh kampionat, Juventusi ka ndryshuar objektiv. Dy vendet e para duken të paarritshme, por edhe vendi i tretë kështu mund të jetë, kështu që Juventusi duhet të synojë vendin e 4-t. Kur thoshte se klasifikimin do ta shohë më pas, edhe vetë trajneri Alegri nuk mund ta kishte imagjinuar këtë që ka gjetur tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë