Juventusi mundi 2-0 Xhenoan në javën e 16-të të Serisë A, duke iu afruar disi zonës së Championsit. Megjithatë, skuadra e trajnerit Alegri nuk po bind ende dhe në merkaton e janarit duhen bërë patjetër disa lëvizje të rëndësishme, njëra prej tyre në sulm.
Bardhezinjtë po kërkojnë një sulmues qendre dhe sipas “Tuttosport”, dy alternativat më të mundshme janë Mauro Ikardi dhe Edinson Kavani. Janë dy profilet më adapte të lojtarëve për Juventusin dhe dy objektivat të arritshëm edhe financiarisht.

Argjentinasi i PSG-së mund të bashkohet me Juventusin në formë huazimi. Atij i duhet të ndërrojë ambient për të paktën 6 muaj, pasi nuk ka hapësira në Paris, ndërsa sulmuesit uruguaian i skadon kontrata me Mançester Junajtid në qershor. Kavani po sheh që tani për të gjetur një skuadër për të ardhmen dhe rikthimi në Itali është plotësisht i mundshëm.
Juventusi e ka përqendruar te këta dy emra merkaton sa i takon sulmit, pasi janë dy futbollistë që e njohin mirë Serinë A dhe nuk kanë nevojë për kohë që të ambientohen. Gjatë ndeshjes me Xhenoan, trajneri Alegri ka pasur edhe një debat me sulmuesin Alvaro Morata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




