Futboll

Juventusi kthehet në krye të Serisë A pas 124 ndeshjesh dhe 1183 ditësh

Gazeta Si – Me fitoren 1-0 ndaj Veronës për javën e 10-të të kampionatit, falë golit të Kambiasos në minutën e 97-të, Juventusi risheh kreun e Serisë A pas plot 124 ndeshjesh dhe 1183 ditësh.

Dukej një mbrëmje ‘shtrigash’ për bardhezinjtë, të cilëve iu anuluan dy gola të Kean nga VAR-i. Kur gjithçka dukej e humbur erdhi ai gol i Kambiasos, pas një shtylle të Milik, që shpërtheu në festë ‘Stadium’ në Torino. Fitore në frymën e fundit, por e merituar për skuadrën e Alegrit.

Juventusi kryeson tashmë klasifikimin, në pritje të Inter-Roma. Të paktën për një natë torinezët kanë shijuar kryesimin, me 23 pikë, 1 më shumë se Interi, që e luan sot ndeshjen e javës së 10-të.

Njeriu i ndeshjes ishte ai që ndoshta më pak pritej, Andrea Kambiaso, me atë prekje në minutën e 97-të. Alegri kishte konfirmuar 10 nga 11 lojtarët që mundën Milanin, me ndryshimin e vetëm aktivizimin nga minuta e parë të Vlahoviç, bashkë me Kean.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë