Gazeta Si – Janë orë mjaft intensive në merkaton e futbollit. Në Angli janë bërë çmenduri, e fundit ajo e brazilianit Antoni, të cili Mançester Junajtid e ka blerë nga Ajaksi.
Edhe në Itali ka disa lëvizje interesante. Trajneri i PSG-së, Kristof Galtier, në një farë mënyre ka njoftuar kalimin e Leandro Paredes te Juventusi, edhe pse kjo lëvizje u duk se nuk do të kryhej.

“Paredes nuk bën pjesë te lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e radhës, sepse ka arritur akordin me Juventusin”, – ka thënë trajneri i parisienëve. Ai ka saktësuar gjithashtu se mungon ende akordi mes dy klubeve, që pritet të arrihet së shpejti.
Juventusi synon të sistemojë ndërkohë brazilianin Artur, që është kërkuar nga Valencia, por orët e fundit është më e gjallë pista që e çon atë te Sportingu i Lisbonës. Portugezët pritet ta marrin në huazim.
PSG-ja ndërkohë duket se nuk ka hequr dorë nga Shkriniar. Trajneri Galtier ka pohuar se sllovaku është prej kohësh një objektiv i merkatos dhe se çdo gjë mund të ndodhë deri në rënien e gongut. Interi është i paralajmëruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




