Futboll

Juventusi bën 5 fitore radhazi dhe shton presionin tek Interi, Milani ndalet nga Ramadani

Gazeta Si – Juventusi ngjitet të paktën për një natë në krye të klasifikimit të Serisë A, pasi ka mundur 2-1 Kaljarin në ‘Allianz Stadium’. Pas një pjese të parë pa gjuajtje në portë, skuadra e Alegrit zhbllokoi shifrat në minutën e 60-të me Bremer.

Dhjetë minuta më pas dyfishoi shifrat nga një goditje këndi një tjetër mbrojtës, Rugani. Kaljari rihapi ndeshjen çerek ore para fundit me Dosenën, që më pas goditi edhe shtyllën. Për Juventusin është fitorja e 5-të radhazi në kampionat, që e ngjit në kuotën e 29 pikëve, +1 nga Interi, por me një ndeshje më shumë.

Milani sot ka barazuar 2-2 në fushën e Leçes së Ylber Ramadanit. Kuqezinjtë udhëhiqnin 0-2, por u barazuan në pak minuta, madje në fund u shpëtuan nga VAR-i, që anuloi një gol të tretë të Leçes. Oliver Zhiru u ndëshkua me karton të kuq dhe rrezikon pezullimin për disa javë, për shkak të sjelljes së pahijshme ndaj arbitrit.

Që në fillim të ndeshjes Milani humbi Leaon për një dëmtim muskulor, në pushim u ndal dhe Kalabria po për dëmtim, ndaj dhe skuadra e Piolit vuajti në pjesën e dytë. Ramadani, mesfushori i Kombëtares, ishte titullar te Leçe dhe një nga më të mirët në fushë. Ai u vlerësua me notën 6.5 për paraqitjen e bërë në këtë sfidë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë