Futboll

Juventusi arrin akordin me Vlahoviç, 65 milionë euro dhe bonuse për Fiorentinën

Dushan Vlahoviç është vetëm një hap larg Juventusit. Pasi ka gjetur marrëveshjen për pagën e lojtarit, orët e fundit ky klub ka rënë dakord edhe me Fiorentinën për 65 milionë euro, plus 10 milionë euro bonuse, kështu që mund të thuhet se virtualisht sulmuesi është bardhezi. Gjithçka është gati për vizitat mjekësore dhe firmën.

Në kulmin e punës që klubi po bën për të ulur shpenzimet për pagat me ndonjë shitje, që nga Artur te Ramsei dhe Morata e Bentankur, Juventusi ka vendosur të plotësojë kërkesat e Fiorentinës për Vlahoviç. Dhe 65 milionë euro, plus 10 milionë bonuse, kanë plotësuar dëshirën e Roko Komisos.

Klubi torinez, që ka pasur një vlerësim maksimal për Vlahoviç, ka fituar konkurrencën me Arsenalin. Për serbin është bërë gati një kontratë deri në vitin 2026, me 7 milionë euro në vit.

Nje banderole e tifozeve te Fiorentines per Vlahovic. Gazeta Si, 25 janar 2022

Ambienti futbollistik në Firence ndërkohë vazhdon të ziejë, pasi është tradhëtuar përsëri nga një prej xhevahirëve të tij, ashtu si Roberto Baxhio dikur, apo edhe Bernardeski dhe Kieza së fundi, që kanë lënë Fiorentinën për Juventusin. Vlahoviç është gati të vishet bardhezi. Pritja, duke përjashtuar ndonjë surprizë të jashtëzakonshme, ka përfunduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë