Edhe kjo javë ka konfirmuar dominimin absolut të Juventusit që pothuajse ka mbyllur çdo dilemë për titullin kampion të Serisë A. Torinezët kanë mposhtur në shtëpi Romën me rezultatin e ngushtë 1-0. Teksa Juventus marshon e vetme në krye të tabelës, dy ekipet milanezë, Interi dhe Milani kanë prodhuar zhgënjimin e radhës, duke mos fituar ndeshjet e tyre për këtë javë.

Juventus do të vuante për të marrë këtë fitore përballë Romës, që këtë sezon është shumë larg vendeve të para. Juventus do e kërkonte golin që në minutat e para, duke e vënë nën presion ekipin roman. Olsen që javën e shkuar bëri gabimin fatal kundër Xhenovës, këtë herë ishte më i miri në fushë. Por gjithsesi gardiani nuk mundi të bënte asgjë për të ndaluar golin e Manxukiç, i cili edhe një herë i jep tre pikë shumë të rëndësishme Juventusit në marshimin drejt titullit kampion. Kroati shënoi në minutën e 35’ dhe rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Juventus ruan avantazhin +8 pikë nga Napoli, ndjekësi më i afërt, që fitoi me Spalin 1-0.

Nga ana tjetër kjo fundjave ishte krejtësisht për t’u harruar për ekipet e Milanos. Inter nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 me skuadrën e vendit të fundit, Kievon. Ishte një ndeshje dramatike, ajo që u luajt në Bentegoti, me vendasit që arritën të barazonin shifrat vetëm në minutën e parë shtesë. Me këtë ndalesë, Inter konfirmon edhe një herë momentin e keq, por që nuk ka ndikuar në renditje, pasi vijon ta ruaj vendin e tretë me 5 pikë më shumë se Lacio e vendit të katërt.

Kjo e fundit mori një fitore të lehtë 3-1 përballë Kaljarit, duke kaluar në vendin e katërt dhe lënë në të pestin Milanin që u mund nga Fiorentinës. Skuadra e Xhenaro Gatuzos i ka zhgënjyer të gjithë teksa brenda në “San Siro” ka pësuar disfatën e radhës. Tashmë për kuqezinjtë bëhen tre ndeshje radhë pa fitore dhe për Gatuzon kanë dalë hijet e para të largimit.
Tabela e plotë e ndeshjeve të kësaj jave në Serinë A:

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




