Futboll

Juventus rekordmen. Kush mund ta ndalë këtë skuadër?!

40 pikë në 14 ndeshje, 31 gola të shënuar, vetëm 8 të pësuar, 13 fitore dhe një barazim, ky është Juventusi i këtij sezoni në Serie A. Janë statistika të frikshme të një skuadre që duket se nuk njeh rival në kampionat. Ky Juventus është i frikshëm për cilëndo skuadër, por edhe për vetë Serie A. Prej 6 vitesh në këtë kampionat nuk ka më garë për titullin kampion, pasi vendi i parë duket i “prenotuar” dhe të gjitha skuadrat e tjera luftojnë me njëra tjetrën për objektivat e mbetura.

Madhështia e këtij Juventusi u duk edhe këtë fundjavë me një ekip që në letër dukej se mund ta vinte në vështirësi, si Fiorentina. Por ekipi nga Firence nuk shkoi më shumë se një humbje 3-0. Një fitore që e bën ekipin viole të duket si e nivelit të tretë edhe pse deri më tani skuadra e Piolit ka bërë një kampionat të mirë. Ronaldo me shokë me gjithë lumin e madh të trofeve që kanë fituar, këtë sezon duken më të pangopur se kurrë. Teksa nga shumë analistë përflitej se kjo javë mund të sillte ndalesën e parë të Juventus për këtë kampionat, Ronaldo, Bentakur dhe Kielini nuk ishin të të njëjtit mendim.

Do të ishte uruguaiani në fillim që çeli siparin e golave, në minutën e 31’, pas asistit fenomenal që mori nga Paulo Dybala. Kaq për pjesën e parë edhe pse rastet nuk munguan për “Zonjën”. Në pjesën e dytë për të dyfishuar shifrat mendoi “gjenerali” Xhorxho Kielini. Në minutën e 69’ qendërmbrojtësi torinez çoi për herë të dytë topin në rrjetë dhe që nga ai moment Fiorentina u dorëzua, duke e pranuar se nuk mund të merrte më shumë nga kjo përballje.

Por Juventus nuk e kishte mbaruar çështjen e golave, pasi Ronaldo ende nuk e kishte shënuar rrjetën e tij. Në minutën e 79’, portugezi nuk gabon nga penalltia, duke shënuar golin e 10-të personal në këtë kampionat të Serie A. Me këtë rrjetë të tij CR7 ka futur emrin e tij në listën e lojtarëve të Serie A që në 14 javët e para shënon 10 gola në debutim, një rekord që kishte më shumë se 50 vite që nuk ishte thyer.

Në raundin e 15-të për të thyer këtë Juventus të pandalshëm, drejt Torinos do të udhëtojë Inter. Zikaltërit deri tani janë në vendin e tretë në kampionat dhe nga të gjithë janë cilësuar si ekipi anti-juve, por se sa e vërtetë është kjo vetëm ndeshja e 7 dhjetorit do e tregojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë