Futboll

Juventus përshpejton tratativat për Suarez, arrin akordin me lojtarin

Situata është e bllokuar, por Juventus e ka me nxitim, duke qenë se Andrea Pirlo ka nevojë sa më shpejt të ketë në dispozicion sulmuesin e tij, sidomos pasi Gonzalo Higuain është nxjerrë tek dera pa shumë kortezi: argjentinasi, me të cilin po negociohet dalja, ishte 9 e vetme në organikë e në atë pozicion duhet mbuluar menjëherë boshllëku. Fabio Paratici ka lëvizur me shpejtësi e ka në duar Edin Dzeko: sulmuesi boshnjak i pëlqen shumë Pirlos, që e konsideron perfekt si partnerin e Cristiano Ronaldos, por orët e fundit situata ka ndryshuar.

Juventus vazhdon të mendojë për Luis Suarez, që dje është stërvitur me Barcelonën, ku nuk është më i pëlqyer, siç ka bërë të ditur tekniku i ri blaugrana Ronald Koeman. Kështu, bardhezinjtë kanë nisur dialogun me stafin e uruguaianit, që në Katalonjë ka një pagë prej 15 milionë euro në sezon deri në 30 qershor 2021. Dhe pas një kontakti midis palëve, për herë të parë diskutimi është thelluar. Duke bërë një llogaritje të shpejtë, drejtuesit torinez dolën në përfundimin që operacioni i Suarez do të kushtonte afërsisht me atë të Dzeko, të paktën për sa i përket pagës. Meritë e taksave të favorshme italiane: Dekreti i famshëm i Rritjes, do të luante në favor të bardhezinjve. Suarez do të kënaqej me 10 milionë në vit, e nga arkat bardhezi do të dilnin “vetëm” 15 milionë në dy sezone. Pak a shumë aq sa do duhej për të kënaqur Dzeko që kërkon 7,5 në sezon. Për më tepër për kartonin e Pistoleros mund të shpenzohej vërtetë pak nëse uruguaiani gjen akordin me Barcelonën për një prishje kontrate e kjo do të kishte peshë, sepse për të marrë Dzeko Roma kërkon të paktën 10 milionë euro.

Nga ana e Suarez është dhënë pëlqimi për transferimin në Torino. Prioriteti i tij këto ditë është të gjendet një rrugë dalje me Barcelonën, ku në 6 sezone ka fituar ndër të tjera edhe një Champions (2015), duke i shënuar në finalen e Berlinit pikërisht ndaj bardhezinjve, e katër herë la Liga. Por nuk do të jetë e lehtë, sepse përveç situatës te Barcelona, shumë do të varet nga vetë Pistolero duke qenë se Juventus nuk kërkon të shpenzojë shumë për kartonin e sulmuesit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë