Gazeta Si – Juventus-Inter është dueli i fortë për mbrojtësin Gleison Bremer të Torinos. Të dy klubet duan patjetër një qendërmbrojtës me kualitet, pasi bardhezinjtë kanë humbur De Ligt, kurse zikaltrit po humbasin Shkriniar.
Urbano Kairo, presidenti i Torinos, ka pasur takime të shpeshta orët e fundit me drejtuesit e Interit, të Juventusit dhe agjentin e lojtarit.

Për momentin, Juventusi duket në avantazh, gati për një ofertë më të mirë se ajo e Interit. Klubi bardhezi jep 40 milionë euro si pjesë fikse dhe bonuset, ndërsa Interi 30 milionë euro, plus 5 bonus dhe kartonin e Kasadeit, të riut që vlerësohet në 8 milionë euro.
Dueli Juventus-Inter vazhdon, ndërsa Torino duhet të vendosë. Do ta bëjë sapo të ketë në tavolinë ofertën e Juventusit, që nuk ka mbërritur ende. Do të ketë edhe një takim me Interin, që duket se nuk do të marrë pjesë në ankand, por do të ndalet te oferta e parë.
Interi nuk ndodhet në një pozicion komod, por nuk heq dorë, pasi lojtari ka shprehur preferencën e tij për zikaltrit. Duhet theksuar ndërkohë që Juventusi i ka propozuar mbrojtësit brazilian një kontratë 5-vjeçare, me 5 milionë euro neto në sezon. Interi i jep 4 milionë euro.
Plani B i zikaltërve është Nikola Milenkoviç i Fiorentinës, por është kthyer në modë edhe Merih Demiral.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




