Futboll

Juve tenton përmbysjen e madhe, Siti kërkon marshimin

Kjo e martë rikthen emocionet e Ligës së Kampionëve. Juventus pret në shtëpi Atletikon e Madridit në tentativë për të bërë përmbysjen e madhe nga humbja e parë në Madrid 2-0. Ndërkohë në Mançester, Siti i Guardiolës do të përballet me Shalken për të prerë biletën për në fazën tjetër.

Ajo humbje në ndeshjen e parë në “Vanda Metropolitano” i ka ulur shumë shpresat e Juventusit për të avancuar më tej në Champions. Por të motivuar nga përmbysjet e Ajaksit dhe Junajtid para një javë ekipi i Alegrit do të tentojë që të befasojë spanjollët e Simones. Ronaldo me shok do të provojnë gjithçka për të fituar në shtëpi me te paktën tre gola diferencë, duke çuar deri në fund atë që u nis vitin e shkuar me Realin, por që u pre në mes në minutën e fundit nga arbitri. Juventus e pret këtë përballje pa mungesa të rëndësishme, ndërsa edhe Atletiko nga ana tjetër do të shkojë në Torino me misionin e vetëm për të mbrojtur fitoren e parë, por pse jo edhe të befasojë, duke triumfuar sërish edhe këtë të martë.

Ndeshja e parë në Gelsekirshen ishte me me shumë surpriza dhe Mançester Siti vuajti shumë. 3-2 arriti të triumfonte skuadra angleze ndërsa në këtë sfidë të kthimit në shtëpi nuk tolerohen gabimet. “Qytetarët” kërkojnë të avancojnë sa më shumë këtë sezon të Ligës së Kampionëve dhe nuk pritet të hasin në vështirësi të mëdha këtë mbrëmje përballë gjermanëve të Shalkes, që gjithsesi do e tentojnë surprizën e madhe. Ndeshjet luhen të dyja në mbrëmje, duke filluar nga ora 21:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë