Futboll

Juve shkon keq sa herë Shezni shkon keq, gabimet e polakut sollën humbjen e parë të sezonit

Gazeta Si – Një gafë e portierit bëri që Sasuolo të zhbllokonte rezultatin. Edhe goli i tretë i Sasuolos së Bajramit lindi nga një grushtim difektoz i tij, nga i cili përfitoi Pinamonti.

Ja ku jemi sërish. Shezni bën një paraqitje të dobët ndaj Sasuolos: vendimtarë gabimet e tij në 2 nga 4 golat e pësuar nga Juventusi. Ashtu si në raste të tjera në të kaluarën, mbrëmja e keqe e portierit polak ndëshkon gjithë skuadrën. Shezni është nga lojtarët e paktë ekspertë të grupit bardhezi dhe këto luhatje të forta të tij i kushtojnë shumë formacionit të Alegrit.

Në Mapei Stadium portieri luante ndeshjen e 3-të sezonale. I pafalshëm gabimi i tij në gjuajtjen nga larg të Lauriente në minutën e 12-të, si dhe në rastin e golit të Pinamontit në minutën e 82-të. Në shtesë u shpëtua nga traversa në një gjuajtje të Defrel, por u tradhëtua nga Gati, që e dërgoi topin në portën e tij në një moment errësire totale, duke e bërë humbjen më të rëndë.

E vërtetë është që portieri bëri një pritje shpëtimtare në gjuajtjen e Tresoldit para pushimit të ndeshjes, si dhe ndonjë pritje në pjesën e dytë, por është shumë pak për të rikthyer në binarët e duhur një ndeshje të kompromentuar.

Polaku reflektoi pasiguri, që në të kaluërn kanë vënë në diskutim edhe fanellën e titullarit për të. Me Perin gati në stol dhe me përgjegjësinë e madhe të liderit, gabimet e Sheznit peshojnë dhe janë një nga arsyet kryesore të humbjes së parë sezonale të Juventusit.

Në anën tjetër e ka shijuar fitoren Sasuolo e Nedim Bajramit. Fantazisti kuqezi ka dalë fitimtar ndaj Sheznit ashtu si disa ditë më parë me Shqipërinë në ‘Air Albania’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë