Që në javën e dytë Seria A vjen me një përballje shumë të fortë. Në fakt janë kampionia dhe nënkampionia që do të zbresin sonte në fushën e “Juventus Stadium” në një ndeshje që nuk vendos gjë, por që do të tregojë shumë.
Napoli që këtë vit është një prodhim 100% i stilit “Don Carlo” do të shkojë në Torino me qëllim për të treguar se është i denjë për titullin kampion. Përballë të kaltërit kanë një Juventus me pankinën bosh. “Ish-i” i madh i kësaj ndeshje, Muricio Sarri nuk mund të jetë edhe për këtë përballje në stol, për shkak të problemeve shëndetësore.

Të dyja vijnë në javën e dytë të kampionatit pas fitores jo të lehta në javën e parë. Napoli pësoi tre gola nga Fiorentina, duke treguar se mbrojtja Kulibali – Manolas ende nuk është formatuar siç duhet. Por edhe Juventus çaloi, pasi golin e fitores me Parmën e gjeti me anë të Kielinit, i cili ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe për të paktën 6 muaj do të jetë jashtë fushave.
Të dyja bashkë me Interin konsiderohen se kanë nga një marsh më tepër këtë sezon, por me Juven sigurisht që mbetet ekipi për tu mundur. Bardhezinjtë këtë vit me përforcime të rëndësishme në mesfushë dhe mbrojtje fokusin kryesor kanë Ligën e Kampionëve. Kjo sidoqoftë nuk do të thotë se mund të lihet mënjanë edhe kampionati, ndërkohë që për Napolin e Ançelotit ka ardhur koha që të fitojë një trofe me peshë.
Ndeshja fillon prej orës 20:45 dhe nga ato që shkruajnë mediet italiane nuk pritet të ketë ndryshime në formacion. Për Juventusin kjo ndeshje pritet të jetë debutimi zyrtar i De Lajt në Serinë A, ndërsa në krahun e Napolit, pritet të ketë minuta për blerjen e bujshme në merkato, Lozano.

Ndërkohë sonte në mbrëmje luan edhe Milani. Kuqezinjtë e Xhampaolos do të zbresin në “San Siro” kundër të sapo ngjiturve në elitë Breshia, ku luan edhe mesfushori shqiptar, Emanuele Ndoj, që në fakt nuk do të jetë prezent për shkak dëmtimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




