Futboll

Juve-Inter, duel total në të gjitha frontet

Është java e derbit të Italisë dhe të gjithë mediet apenine janë të fokusuara në këtë përballje që pritet të vendosë shumë për fatet e Serie A këtë sezon. Njëra dominon prej 8 vitesh në futbollin italian, duke e bërë pronë të saj titullin kampion, ndërsa tjetra në përpjekje për t’u rimëkëmbur, këtë sezon do të tentojë që të ngjitet sa më lart. Kur flasim për duelin Juventus-Inter do duhet të kthehemi shumë pas në histori, aty ku lindur rivaliteti, që në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Por “e flaktë” sfida mes këtyre dy skuadrave mori në vitin 2006, pas të famshmit kalçopoli. Inter përfitoi nga rënia e torinezëve një kategori më poshtë për të fituar titullin kampion dhe për të ndërtuar një cikël fitues prej 5 vitesh që kulmoi me trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2010. Juventus më pas u “hakmor” duke nisur hegjemoninë në vitin 2012 me 7 tituj rresht në kampinat dhe dy finale të humbura në Champions.

Inter pas barazimit zhgënjyes me Romën, duket se është ulur disi me këmbë në tokë dhe këtë të premte do të kërkojë me çdo kusht fitoren. Është një fitore që ata i rikonfirmon si skuadra Anti-Juve, rihap kampionatin dhe gjithashtu i shkakton “Zonjës së Vjetër” humbjen e parë në këtë kampionat. Duke një mision me shumë qëllime, por njëkohësisht shumë i vështirë për t’u arritur. Juventus në këto 14 javë kampionat të Serie A ka treguar se është i pamëshirshëm dhe me një Ronaldo në majën e sulmit mund të mposhtë çdo rival në Itali dhe Europë. Në rast të një fitore të radhës në shtëpi me Inter, me shumë mundësi kampionati do të quhet i mbyllur sa i përket luftës për titullin kampion.

Por ajo që do të luhet të shtunën në stadiumin “Allianz” do të jetë vetëm një nga sfidat mes këtyre dy skuadrave. Mediet italiane këto ditë flasin për një betejë në të gjitha frontet mes Inter dhe Juventus.

Dueli në merkato

E para ka të bëjë me merkaton. Inter ka bërë goditjen e parë në këtë drejtim duke ulur në stolin e dirigjentit, as më shumë as më pak, por ish-drejtorin e Juventus, Bepe Marota. Ky i fundit do të zyrtarizohet në stolin e Inter pas ndeshjes me PSV në Ligën e Kampionëve. Është një listë e gjatë me futbollistë që kërkohen në merkato nga të dyja klubet. Për të filluar me Cragno, Andersen, Todibo, Mancini, Barella, Rabiot, Tonali, Ramsey, Milinkovic-Savic, Chiesa dhe Martial janë të gjithë lojtarë që pëlqehen si nga Juventus edhe nga Inter.

Në disa lojtarë është Juventus në tratativa më të avancuara dhe në disa të tjera janë zikaltërit. Por me kalimin e Marotës në Milano, bilancet bëhen edhe më të vështirë për t’u kuptuar, pasi dirigjenti torinez do të punojë me një klub të ri dhe kundër ish-kolegëve të tij me të cilët ka bashkëpunuar për më shumë se 10 vite.

Dueli në financa

Juventus dhe Inter kanë një betejë me njëra tjetrën edhe në nivelin e bilanceve ekonomike. Të dyja klubet janë pjesë edhe dy kompanive gjigande ndërkombëtare, respektivisht Inter me Suning dhe Juventus me Exor. Nëse Exor është një emër i njohur dhe familjar për italianët, pasi është një kompani e krijuar nga familja Anjeli, që e ka Juventusin në pronësi prej vitesh, për kinezët e Sungin nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Prej jo më shumë se katër vite në arenën ndërkombëtare të futbollit, gjigandi kinez ka arritur ta ngrejë ndjeshëm Inter i cili pas largimit të Moratit ishte në një kolaps të vërtetë financiar. Për momentin, Juventus është në shifra shumë të larta se Inter për shkak edhe të rezultateve në fushë, por gjithashtu edhe punës që është bërë nga departamentet e tjera të klubit.

Xhiro totale e Inter për sezonin 2017/18 ishte në shifrën e 323.5 milionë eurove. Ndërsa Juventus për të njëjtin vit ka kaluar në shifrën e 504 milionë eurove, pra ndjeshëm shumë më lartë. Por diferencën torinezët e bëjnë në aspektin e fitimeve. Juventus e ka shumë të lartë normën e fitimeve, ndërsa Inter edhe për këtë sezon ende nuk ka arritur që të jetë me bilanc pozitiv, por duke i ulur ndjeshëm humbjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë