Ekonomi

Juristët kundër arrestimit të biznesmenëve

Dy organizmat financiarë ndërkombëtarë me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie bashkëpunimi dhe varësie FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) dhe BB (Banka Botërore) prej disa vitesh në çdo raport periodik përsërisin dy refrene më shumë se të tjerët: PPP-të dhe klimën e biznesit.

“Bizneset informale në përgjithësi kanë produktivitet më të ulët se bizneset formale. Shqipëria ka miratuar një larmi të madhe rregullash për të monitoruar abuzimet, zbatimi i tyre mbetet i dobët për shkak të informalitetit të vazhdueshëm në forcën e punës”-do të citonte BB në një nga raportet më të fundit.

Kurse FMN jep si zgjidhje për uljen e ekonomisë informale përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe rritjen ekonomike, si një faktor që inkurajon bizneset dhe individët të përfitojnë nga kjo rritje, pasi thotë FMN e BB, edhe pse Shqipëria ka marrë masa për të ulur informalitetin, fenomeni mbetet ende një sfidë për administratën tatimore.

Organizmat ndërkombëtarë në asnjë rast nuk rekomandojnë masa drastike apo represive ndaj biznesit, përkundrazi nënvizojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe reforma strukturore të qëndrueshme me përfitime afatgjata.

Që kur nisi fushata e parë antiinformalitet në 2015-ën, nuk ndikoi tek të ardhurat në buxhet, e theksuar kjo edhe nga FMN e BB.

Por për mënyrën se si u bë aksioni ndikoi shumë keq tek biznesi, i cili pësoi shumëfishimin e masave ndëshkimore, presionet, kërcënime me burg.
Mungesa e të ardhurave në buxhet nxiti qeverinë të rinisë prej gati dy muajsh operacionin antiinformalitet emergjent dhe të shkarkojë nga detyra dy herë radhazi krerët e tatimeve dhe doganave.

Policia e Tiranës në kuadër të aksionit kundër informalitetit, ka arrestuar mbrëmjen e së mërkurës 15 persona, mes tyre edhe 7 biznesmenë pasi akuzohen për mashtrim me skemat e TVSH-së.

A sjellë kjo situatë të ardhura në arkën e shtetit?

Gazeta “Si” ka marrë një shembull të supozuar për një kompani të mesme X me 60 punëtorë (450 euro paga mesatare), e cila ka një xhiro 600 mijë euro në vit dhe blerje vjetore 400 mijë euro.

Kjo kompani nga llogaritë rezulton se rezulton me fitim 200 mijë euro para tatimit dhe me fitim neto 170 mijë euro pasi ka paguar 30 mijë euro tatim fitim.
Supozojmë se kompania në fjalë ka bërë një shitje fiktive për muajin gusht 50 mijë euro.

Nëse policia arreston zotëruesin e këtij biznesi; në muajin pasardhës shteti do të ketë mbi kurriz 60 punonjës të papunë, 60 familje në vështirësi dhe pashpresë, mosderdhje të taksave, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe mosdhënie pagash. Paralizim të biznesit.

Sipas disa kontabilistëve që kontaktoi Gazeta “Si”, klima e biznesit e rënduar, veçanërisht me arrestimet e fundit do ta zhysë akoma më keq sipërmarrjen duke i shkaktuar regres dhe mungesë besimi për të investuar.

“Nëse ti arreston drejtuesit e biznesëve, të ndërpritet procesi i punës. Një biznes bazohet në tre element kryesorë; librat e blerjes, librat e shitjes dhe deklarimi i pagave. Ku ka qenë qeveria deri tani që nuk i ka kontrolluar, por shkoi direkt tek arrestimi?”- reagon një prej kontabilistëve duke shtuar se në këtë mënyrë biznesi humb, po ashtu humb edhe ekonomia e vendit sepse ndalohet puna, punonjësit ikin në shtëpi, biznesi nuk paguan më detyrime, ndërpriten marrëdhëniet mes palëve biznes me biznes dhe biznesi me shtetin. Ajo që është më e rëndësishmja për një biznes parimi i vijueshmërisë dhe në këtë rast cënohet. Duhen trajtuar rast pas rasti bizneset, jo në grup.”

Kurse eksperti i ekonomisë Selami Xhepa thotë për Gazetën “Si” se është dakord në parim me masat ekstreme për të vënë drejtësinë në vend.

Selami Xhepa, ekspert


“Jam dakord me arrestimet, evazioni dhe informaliteti janë krim në ekonomi. Nuk mund të përfitojnë disa në kurriz të të pafajshmëve, Këta njerëz shkatërrojnë edhe pronën publike, prishin konkurrueshmërinë. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Nëse ligji dhe procesdurat janë zbatuar në rregull, çdo gjë është ok.”- thotë Xhepa.

Kurse për Nikolin Jakën kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës situata e krijuar është një reflektim për të gjithë.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë

“Së pari personalisht jam për tolerancë zero ndaj fenomeneve që deformojnë konkurueshmërinë dhe pabarazinë e të bërit biznes.
Së dyti mbështes çdo iniciativë të çdo qeverie, apo force politike për të luftuar evazionin dhe informalitetin në ekonominë shqiptare.
Në këndvështrimin tim as informaliteti , as evazioni fiskal nuk luftohen me aksione sporadike.
Në një vend ku informaliteti, evazioni, dhe mosrespektimi i ligjit është në shifra të frikshme, kërkohen reforma dhe platforma të konsultuara dhe të dakortësuara me të gjithë aktorët dhe faktorët qe krijojnë klimën e duhur te të bërit biznes. Respektim dhe zbatim të akteve ligjore pa dallime dhe preferenca. Një rol te pazëvendësueshëm kanë nënpunësit e administratës publike.”- thotë Jaka për Gazetën “Si”.

Për të, gjithmonë ka dy palë që mundësojnë prishjen e rregullave te lojës.

"Këto janë fenomene që e kanë goditur rëndë besimin e qytetarit shqiptar ku fajtorët kthehen në heronj dhe heronjtë në fajtorë. Per t'a mbyllur opinionin tim do doja të përdorja shprehjen e baltës… " të hedhin baltë të gjithë ata që besojnë në pastërtinë e duarve të tyre" -Jaka

“Përsa i përket pyetjes tuaj për arrestimet, unë nuk besoj që arrestimet janë zgjidhja e problematikës që krijohet në moszbatimin e legjislacionit fiskal nga sipërmarrja private.
Periudha tranzitore që po kalon sistemi i drejtësisë nuk bën gjë tjetër veçse stimulon evazionin dhe paligjshmërinë. Shqipëria ka 29 vjet që në mënyrë permanente dhe të qëllimshme ka goditur institucionin e besimit publik, ku të gjithë akuzojnë dhe akuzohen, ku njehsohet i pafajshmi me të fajshmin, ku i miri është më i keq se sa i keqi dhe e kundërta. Këto janë fenomene që e kanë goditur rëndë besimin e qytetarit shqiptar ku fajtorët kthehen në heronjë dhe herojt në fajtor. Per t'a mbyllur opinionin tim do doja të përdorja shprehjen e baltës… " të hedhin baltë të gjithë ata që besojnë në pastërtinë e duarve të tyre"- shpjegon Jaka.

A duhen arrestuar biznesmenët, çfarë thonë juristët?

Banka Botërore pak ditë më parë në një raport të saj e rendiste Shqipërinë të fundit për mungesën e strategjive për të promovuar vendin ndaj investitorëve të huaj.

Sokol Hazizaj, avokat


Edhe juristët Saimir Visha dhe Sokol Hazizaj shprehen për gazetën “Si” kundër arrestimit të biznesmenëve dhe bankierëve në këtë situatë të turbullt politike në vend.
Sipas juristit Sokol Hazizaj, qeveria dhe prokuroria duhet të jenë shumë të kujdesshme në arrestimet që bëhen ndaj biznesit me të cilët shteti ka patur marrëdhënie kontraktuale korrekte. “Nuk mund të arrestosh biznesin pa provuar pafajësinë. Dhe më duket krejt e habitshme që arreston një biznes që i ke dhënë tender 25 mln euro”-thotë Hazizaj.

Edhe avokati Sajmir Visha shprehet kundër arrestimit të biznesmenëve, bankierëve në këtë situatë të nderë politike.

Saimir Visha, avokat

“Arrestimet e paragjykuara po dështojnë në gjykatë. Prokuroria po gabon. Nuk mund të arrestosh pa dëgjuar të dyshuarin. Shteti ka një interes, të marrë të ardhura për të mbushur arkën e vetë. Nëse e fut biznesmenin brenda, nuk ka për të marrë të ardhura. Burgu aty është, vërtetoje dyshimin, pastaj fute. Heqja e lirisë nuk zgjidh gjë, veç përkeqëson. Duhet ta shpiesh biznesmenin në gjyq, është detyrim kushtetues”- sqaron avokati Visha.

Policia e Tiranës në kuadër të aksionit kundër informalitetit, ka arrestuar mbrëmjen e së mërkurës 15 persona, mes tyre edhe 7 biznesmenë pasi akuzohen për mashtrim me skemat e TVSH-së.

Në njoftimin zyrtar të policisë deklarohet se në pranga u vunë 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme.

“Ndalimi i tyre është bërë pasi këta shtetas me aktivitete të ndryshme ekonomike si: Ndërtime konstruksion godinash , ndërtime të ndryshme, import,eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrial, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive në total në vlerën 182.677.020 lekë me TVSH 25.704.243 lekë të reja. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi”, citohet në deklaratën e policisë.

Sipas saj, nga analizimi i librave të blerjes rezulton se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka bërë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë