Futboll

Juriç i beson Etrit Berishës, portieri kuqezi fiton balotazhin me rivalin serb

Gazeta Si – Torino nuk fiton prej 8 ndeshjesh në kampionat dhe synon kthesën nga Salerno. Në portën e kësaj skuadre do të jetë sërish Etrit Berisha, portieri i Kombëtares shqiptare, që bëri një paraqitje të mirë edhe në miqësoren me Spanjën.

Trajneri Ivan Juriç e ka thënë hapur së fundi se i beson “gardianit” kuqezi, sepse është në një formë shumë të mirë sportive. “Berisha ka zhvilluar dy ndeshje shumë të mira dhe pastaj është ai ‘gabim, ose jo gabim’ ndaj Xhenoas. Ai ka bërë shumë mirë ndaj Interit dhe Bolonjës, kështu që mendimi im është që të vazhdoj me të në portë”, – është shprehur trajneri i Torinos.

Etrit Berisha me fanellen e Torinos. Gazeta Si, 1 prill 2022

Berisha ka fituar kështu balotazhin me serbin Milinkoviç-Saviç. Portieri shqiptar e nisi këtë sezon në stol dhe pak ka luajtur. Ai shfrytëzoi momentin e dëmtimit të shokut të repartit, duke treguar vlerat më të mira, ndaj dhe trajneri kroat i ka dhënë besim. Ndoshta Juriç i ka për zemër shqiptarët, nëse sjellim në vëmendje edhe faktin se ishte ai që i besoi verbërisht Marash Kumbullës te Verona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë