Politike

Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit, e zëvendëson Erjon Meka

Nga Gazeta ‘Si’-Socialisti Jurgis Çyrbja që dorëzoi mandatin e deputetit, do të pasohet nga Erjon Meka.

Bazuar në listën e deputetëve që garuan në zgjedhjet e 25 prillit 2021, mandati i deputetit i takon Mekës, pasi Denis Deliu dhe Arkend Bala kanë marrë mandatin e deputetit pas Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës.

Jurgis Çyrbja dorëzoi sot mandatin e deputetit dy ditë pasi u mor në pyetje nga prokurorët në SPAK. Vendimi për t’i dhënë fund detyrës si ligjvënës është konfirmuar nga vetë Çyrbja.

Të martën Çyrbja u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00 të paradites dhe për 5 orët në vijim dha deklarime para organit të akuzës në lidhje me një kallëzim të bërë nga Edi Paloka, gjatë kohës që deputeti mbante pozicionin e kreut të Hipotekës së Durrësit.

Ai doli nga Prokuroia e Posaçme në orën 15:00, por refuzoi të ndalej që të prononcohej për gazetarët. Ligjvënësi i PS për qarkun e Durrësit nuk ndau asnjë detaj mbi arsyen e pranisë në SPAK, përveç se ishte paraqitur si person në dijeni për një çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë