Ngjarje

Përkeqësohet situata e zjarreve në Dropull dhe Finiq, rrezikohen banesat, bllokohet rruga drejt Kakavijës (Video)

Gazeta Si – Prej disa orësh situata nga zjarret masive në Bashkinë e Dropullit dhe Finiqit në jug të vendit është përkeqësuar.

Situata kritike e zjarrit në fshatin Grapsh, Bashkia Dropull ka bërë që flakët t’i afrohen shtëpive. Policia ka bllokuar qarkullimin në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë për të parandaluar avancimin e flakëve.

Radhë të tëra mjetesh në të dy anët e rrugës janë bllokuar në trafik, në pritje për t’u qartësuar shikimi, si pasojë e tymit të çliruar nga zjarri në fshat.

Sipas burimeve nga Policia e Gjirokastrës, forcat e të cilave ndodhen në terren, për momentin avancimi i flakëve në zonën urbane është parandaluar, por në raport me rrethanat do të veprohet për evakuimin e banorëve të Grapshit. Priten të vijnë forcat e shërbimit të FNSH dhe nga Fieri. Qarkullimi vijon të jetë i bllokuar.

Gjatë ditës, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi se prej orësh helikopteri “Cougar”, 21 efektivë të FA-ve, 54 forca zjarrfikëse me 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli, efektivë të Policisë së Shtetit, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, po punojnë për izolimin e flakëve dhe për shmangien e çdo rreziku për banorët e zonave.

Në zonat kodrinore, ku është zhvilluar pjesa më e madhe e zjarrit, forcat operacionale e kanë të vështirë ndërhyrjen si pasojë e tymit dhe vështirësisë për të ngjitur kodrat, ndaj është vlerësuar shtimi i kapaciteteve operacionale.

Peleshi i bën ndër të tjera një thirrje banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret të bashkëpunojnë me forcat në terren.

“U bëjmë thirrje të gjithë banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret, të bashkëpunojnë me forcat në terren në rast nevoje, për të evituar çdo rrezik për jetën e tyre. Në gatishmëri të plotë, në çdo moment, për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës së përbashkët”, tha Peleshi.

Sakaq, policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan në Dropull.

Bëhet fjalë për M. K., 39 vjeç, i identifikuar nga Policia e Gjirokastrës. Prej mesditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë