Në konferencën për shtyp në përfundim të Kongresit të Partisë Socialiste, Edi Rama mori sërish protagonizmin, megjithëse doli me në krah me Damian Gjiknurin. Konferenca nisi me prezantimin e një bilanci të shkurtër të punimeve të Kongresit, ndryshimeve statutore dhe nevojës për hapje e këshillim të partisë.
Pjesa me pyetje përgjigje devijoi më pas te drejtësia, kundërshtarët politikë e deri te legalizimi i kanabisit dhe amnistia fiskale.
Duke u ndalur te drejtësia, Rama nxiti SPAK, që sipas tij, të hetojë ‘nga të katra anët’ dhe të mos kapë vetëm arka me peshk, duke iu referuar rastit të fundit të dënimit të ish-ministres së Brendshme, Rovena Voda, por të kapë ‘peshkaqenët e korrupsionit’, siç u quajti ai që gjallojnë ende pas 30 vitesh tranzicion. Këtu nuk përmendi emra.
“Unë u them që bjerini sa keni fuqi, mos shihni as majtas e as djathtas, që të mos shkoni vetëm për peshk, se kur shikon shefave të peshkaqenëve që vijnë 30 vite me radhë, po shkon për një arkë me peshk ka një problem që nuk shkon”, tha Rama.
"Janë peshkaqenë të korrupsionit, kuçedra të korrupsionit që do goditur në kokë. Nëse janë të gatshëm të dinë ku është koka, unë jam gati të shkoj që nesër t’ua them prokurorëve të SPAK. Që nesër jam gati të shkoj atje dhe të vë në dispozicion njohjen time si person i interesuar nëse kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje në memorie", tha Rama.
Sërish pa përmendur emra, por dukshëm duke iu referuar Berishës, SPAK-ut i kërkoi ta hetojë.
"Nuk duhet të presim edhe 30 vite për goditje 'post mortum'. Janë gjallë, janë vërdallë, janë përballë, i kanë aty. Madje bëjnë karshillëk ndaj shqiptarëve dhe Amerikës. Nuk kanë faj derisa drejtësia e re merret me 'arkat me peshk'", shtoi ai.
Ai tha se fjala e tij nuk ishte presion ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa duke folur për legalizimin e kanabisit, paralajmëroi se në pyetësorin e radhës do të shtrojë pyetjen për qytetarët që të legalizohet përdorimi i tij vetjak, jo vetëm mjekësor, që pretendon se ka marrë miratimin e shqiptarëve në pyetësorin e publikuar të premten.
"Kemi pasur shumë njerëz që donin të dinin a ishte legalizimi i kanabisit për përdorim vetjak. Ne do i pyesim vitin tjetër shqiptarët dhe do të fusim kanabisin me gramatura minimale. Unë personalisht nuk ka mendim. Kemi bërë shumë debate dhe kam qenë shumë i dyzuar, më shumë për po sesa jo, por i dyzuar. Tani jemi shumë të qartë dhe nëse do të thonin shqiptarët po, do e lejonim”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.