Analize

Joshja dhe rreziqet e udhëheqësit karizmatik

Nga Jemima Kelly*- Jepini dikujt një listë me udhëheqës politikë, pyeteni se cilët prej tyre kanë karizëm dhe  cilët jo, dhe thuajse gjithmonë do të merrni të njëjtën përgjigje. Barack Obama, Tony Blair, Margaret Thatcher, Donald Trump? Edhe pse me shkallë të ndryshme entuziazmi, përgjigja është “po”.

Rishi Sunak, Liz Truss, Kamala Harris, Ron DeSantis? Një “jo” e fortë. Të thuash me saktësi se çfarë do të thotë lider karizmatik, nuk është edhe aq e lehtë. Çfarë ka në fakt dikush që zotëron karizëm? Google, sugjeron se karizma është një “tërheqje apo një hijeshi bindëse, që mund të frymëzojë përkushtim tek të tjerët”.

Arsyeja pse karizma është një çështje kaq e ndërlikuar për t’u shpjeguar, është sepse të  qenit e pashpjegueshme është në natyrën e saj. Sipas përkufizimit, aura karizmatike dhe e paprekshme e dikujt ju detyron që t’i shkoni pranë apo ta ndiqni personin që e bart atë.

Dhe megjithëse mund të përdoren disa truke për të ndihmuar në ndërtimin e tij, individët vërtetë karizmatikë kanë një aspekt enigmatik të lindur dhe të veçantë. Në Dhiatën e Re, Shën Pali përdori fjalën greke për të nënkuptuar fuqi të ndryshme të jashtëzakonshme që u jepen të krishterëve nga Fryma e Shenjtë, si “hiri i shërimit”, “profecia” dhe “kryerja e mrekullive”.

Por ishte sociologu gjerman, Max Weber, ai që në fillim të shekullit XX-të e përdori për  herë të parë këtë term jashtë kontekstit të Krishterimit. “Ai po përpiqej të gjente modele për llojin e forcës, për të cilën mendonte se ishte e nevojshme në politikë, për të kapërcyer një sistem politik të degraduar dhe për ta nxjerrë nga ngërçi demokracinë gjermane”- më tha Tom Wright, profesor i retorikës në Universitetin Sussex, Angli.

Weber kishte vënë re se disa tradita botërore kishin një fjalë për të përshkruar një fuqi – mistike ose në dukje magjike – që njerëzit e jashtëzakonshëm mund ta përdornin për të ndikuar ose frymëzuar të tjerët. Ashtu si ideja e krishterë e karizmës, populli vendas i Amerikës, haudenosaunee, kishte fjalën ‘orenda’.

Në filozofinë e popujve indigjenë në rajonin e Oqeanisë flitej për mana-n. Weber besonte  se ky koncept ekzistonte edhe në një kontekst perëndimor shekullar, por nuk po përdorej si “forca revolucionare specifike krijuese e historisë”. Weber argumentoi se “autoriteti legjitim” rrjedh nga 3 burime të ndryshme.

I pari, “autoriteti tradicional”, vjen nga kuptimi konservator se gjërat duhet të bëhen siç kanë qenë gjithmonë. I dyti, “autoriteti racional-ligjor”, është i bazuar në rregulla, që burojnë nga ndjenja jonë për të qenë qenie logjike, të bazuara tek arsyeja, dhe nga që duam që gjërat të bëhen sipas një lloj sistemi.

Ndërkohë burimi i tretë vjen nga ajo që Weber po e quante karizëm: “Një cilësi e caktuar e një personaliteti individual, për shkak të së cilës ai veçohet nga njerëzit e zakonshëm dhe trajtohet si i pajisur me fuqi ose cilësi të mbinatyrshme, mbinjerëzore, ose të paktën tejet të pazakontë”.

Ideja e Silicon Valley për liderin karizmatik, nuk është plotësisht e njëjtë me atë të botës politike. Mjafton të shohësh rastin e kreut ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman, që pak ditë më parë u shkarkua dhe më pas u mor sërish në punë.

Kur e sheh të flasë në skenë, nuk mahnitesh nga ndonjë karizmë apo sharm i shkëlqyeshëm. E megjithatë, më shumë se 95 për qind e punonjësve të kompanisë kërcënuan se do të linin punën, nëse bordi i drejtorëve që sapo kishte shkarkuar Altman, nuk do ta rikthente atë në detyre.

Shumë postime në Twitter përsërisnin:”OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e saj”. Në fakt, shumë prej “udhëheqësve karizmatikë” më të famshëm në fushën e teknologjisë – Sam Bankman-Fried, Elizabeth Holmes, Elon Musk – u mungon lloji i pranisë në skenë apo besueshmëria që mund të presim të ketë një person karizmatik në politikë apo në jetën tonë private.

Megjithatë kulti i personalitetit që i rrethon, frymëzon një përkushtim po aq të zjarrtë sa ai i çdo politikani që flet qetë, në mos shumë. Karizma mund të jetë shumë joshëse: njerëzit duket se kanë një dëshirë libidinale për të besuar tek një fuqi më të lartë.

Dhe udhëheqësit mund të na frymëzojnë që t’i ndjekim ata nëse zotërojnë diçka që i ngjan asaj. Por ne duhet të tregojmë kujdes:ndërsa dy burimet e para të autoritetit të Weber-it, janë ato që tërheqin kryesisht mendjen ose intelektin, autoriteti karizmatik ka një tërheqje parësore ndaj asaj që na drejton vërtet: emocionet, instinktet dhe “zemrat” tona.

Dhe kjo është ajo që e bën atë kaq të fuqishëm dhe kaq të rrezikshëm. Karizma mund të përdoret për mirë, por mund të përdoret gjithashtu edhe për të manipuluar dhe mashtruar.

Ajo është shpesh e lidhur me llojet e personalitetit narcisist, madje edhe me psikopatët .

Dhe për shkak se autoriteti karizmatik është kaq shumë i fuqishëm, ai mund të kapërcejë llojet e tjera të autoritetit dhe të na detyrojë të mpijmë trurin tonë racional dhe të menduarit e arsyeshëm. Për të parë anën më të dëmshme të këtij lloj të autoriteti në veprim, mjafton të shihni se si Trump, arriti të bindë 1 në 3 amerikanë se janë manipuluar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Burimi:FinancialTimes/Përshtati:Gazeta ‘SI’

*Jemima Kelly është redaktore në Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë