Analize

Joschka Fisher: Kina e ka fituar 2020-ën

Në librat e ardhshëm të historisë, 2020 do të njihet si viti i pandemisë së madhe Covid-19, dhe me të drejtë. Por do të mbahet mend gjithashtu si viti kur përfundoi mandati i turpshëm i presidentit të ShBA-së,  Donald Trump. Të dy episodet janë të lidhura ngushtë dhe do të lënë gjurmë të qëndrueshme, pjesërisht sepse ato u shpalosën gjatë një tranzicioni më të gjerë global nga shekulli XX, i dominuar nga ShBA tek shekulli XXI, i dominuar nga Kina.

Përkundër këtij sfondi, 2020 provoi të ishte një vit shumë i suksesshëm për Kinën. Për të qenë të sigurt, gjërat nuk dukeshin ashtu në fillimin e vitit, kur një koronavirus i ri, SARS-CoV-2, po bënte kërdinë nëpër metropolin e Wuhan. Dështimet serioze nga autoritetet kineze lejuan që shpërthimi të shndërrohej në një pandemi,  që tani ka vrarë pothuajse 1.5 milion njerëz dhe e çoi  ekonominë globale në një ngërç. Në fillim të vitit, dukej sikur udhëheqja qendrore e Kinës po përballej me një krizë të thellë besimi. Duke ardhur në prapavijën e një lufte tregtare me Shtetet e Bashkuara, Covid-19 e gjunjëzoi menjëherë vendin.

Që atëherë, shtypja me forcë që presidenti  kinez Xi Jinping i bëri  lëvizjes së demokracisë në Hong Kong ka rritur më tej mosbesimin perëndimor. Përplasja administrative nën një ligj të ri drakonian të sigurisë kombëtare i jep fund epokës së “një vendi, dy sisteme” dhe ngre pyetje të mëdha në lidhje me të ardhmen e Tajvanit.

Në çdo rast, pozicioni i Kinës duket shumë i përmirësuar në fund të vitit 2020. Dështimet e saj në fillim të pandemisë duket se janë harruar kryesisht, veçanërisht brenda Kinës. Nuk ka më asnjë gjurmë të humbjes së besimit të publikut në udhëheqjen qendrore. Duke përdorur masa radikale, shteti autoritar njëpartiak i Kinës shpejt vuri në kontroll Covid-19 dhe e ktheu ekonominë në binarë, duke mundësuar një kthim gati të plotë në jetën normale.

Në luftën tregtare me ShBA-në, Kina ka dhënë pak terren (kryesisht një premtim për të blerë 200 miliardë dollarë në mallra amerikanë). Masat e ashpra në Hong Kong duket se po funksionojnë ashtu siç kishte shpresuar Xi. Dhe në nëntor, Kina ngriti  një lloj puçi gjeopolitik me nënshkrimin e Partneritetit Ekonomik të Përgjithshëm Rajonal, një marrëveshje e re tregtare që do ta vendosë atë në qendër të zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Ky partneritet do të lidhë tregun e madh të Kinës me ato të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore – nga Indonezia dhe Singapori në Vietnam – dhe do të përfshijë aleatë të rëndësishëm të ShBA-së  si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Për momentin, India nuk po merr pjesë, por mund të bashkohet më vonë. I vetmi lojtar rajonal që mbetet jashtë është Amerika.

Krijimi i një blloku të ri ekonomik, në qendër të Kinës, ilustron ndryshimin midis realitetit dhe TV realitetit. Kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë në janar 2017, një nga veprimet e tij të para zyrtare ishte tërheqja e ShBA-së  nga Partneriteti Trans-Paqësor, një marrëveshje e negociuar nga presidenti Barack Obama që do të kishte krijuar diçka të ngjashme si Partneriteti Ekonomik i Përgjithshëm Rajonal, vetëm se  me Amerikën në qendra dhe Kinën të lënë jashtë. Duke parë këtë akt amerikan të vetë-dëmtimit, udhëheqësit e Kinës me sa duket nuk mund ta besonin fatin e tyre, dhe qeveria e Xi ka punuar shumë për të shfrytëzuar dhuratën bujare të Trump, që nga ajo kohë.

Këto përpjekje tani po japin fryte. Me një zonë të re të tregtisë së lirë do të vijnë realitete të reja gjeopolitike. Një rrjet varësish do të krijohen rreth Kinës, duke forcuar pozicionin e saj në të gjithë rajonin Indo-Paqësor.

Ndërsa Kina del më e fortë nga ky vit krize, Amerika ka dalë më e dobët. Për shkak të Trump, Covid-19 po zhvillon trazira në ShBA  dhe vendi mbetet i përqendruar në vetvete, duke u shfaqur tek të  tjerët po rropatet nga ndarja, kaosi dhe dobësia. Ky perceptim ka pasoja gjeopolitike. Pas zgjedhjeve  të diskutueshme që Trump është përpjekur t’i diskreditojë, shumë në të gjithë botën po pyesin nëse administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur Joe Biden do të jetë në pozitë ta çojë ShBA-në  nga spiralja e saj. Faza e tanishme paszgjedhore nuk frymëzon besim,  se të dy kampet politike ndërluftuese do të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Në këto kohë të trazuara të pandemisë dhe rivalizimeve të përshkallëzuara ekonomike dhe gjeopolitike, Amerika ka nevojë për miqtë e saj më shumë se kurrë dhe miqtë e Amerikës kanë nevojë për të. Pa një rivendosje të udhëheqjes globale të ShBA-së  nën Biden, Kina do të jetë në rrugën e duhur për t’u bërë forca dominuese në botë  dhe kjo nuk është një perspektivë ngushëlluese për partnerët dhe aleatët e ShBA-së në Europë, Indo-Paqësor dhe gjetkë.

Bota mori një vështrim të shkurtër  se si mund të duket hegjemonia kineze, këtë muaj, kur regjimi i Xi lëshoi ​​një diktat me 14 pika ndaj Australisë duke kërkuar që ajo  tw “korrigjonte gabime t”, që ka bërë në marrëdhëniet dypalëshe. Pas thirrjes së Australisë për një hetim ndërkombëtar të origjinës së SARS-CoV-2, përjashtimit të  dy kompanive  kineze (ZTE dhe Huawei) nga rrjeti i saj 5G dhe raportimit negativ të Kinës në mediat australiane, Kina e ka veçuar Australinë me barriera të reja tregtare.

Europianët, në veçanti, duhet të marrin parasysh këtë sjellje. Aleatët e Amerikës së shpejti do të shpëtojnë nga Trump dhe politika e tij e jashtme nacionaliste. Por nëse “Amerika e para” thjesht zëvendësohet me “Kina e para” , pak do të jetë fituar. Europianët dhe të tjerët do të vazhdojnë të shikojnë poshtë fuçisë së homazheve të pafund dhe temenave. Europianët duhet të zgjohen. Kjo është shansi i fundit për të mbështetur hegjemoninë “dashamirëse” dhe premtimin e lirisë në shekullin 21./ Project Syndicate. Përktheu: Gazeta Si.

*Joschka Fischer, ministri i jashtëm dhe zv/kancelar i Gjermanisë nga 1998 në 2005, ka qenë udhëheqës i Partisë së Gjelbër Gjermane për gati 20 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë