Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ndarë në rrjetet sociale një video ku paraqet planin emergjent të propozuar nga PD për t’u përballur me krizën ekonomike që po rëndon çdo familje shqiptare.
Sipas Tabakut, tre janë plagët kryesore që prekin qytetarët sot: çmimet e larta, të cilat nuk reflektojnë uljen e çmimeve në rajon dhe Evropë për shkak të tregjeve të kapura; pagat e ulëta, të pamjaftueshme për të përballuar jetesën; dhe pensionet e pamjaftueshme për 800 mijë pensionistë që jetojnë në kushte të vështira, si në qytet ashtu edhe në fshat.
Tabaku thekson se Shqipëria ka nevojë për reforma të thella që të sjellin frymëmarrje për familjet dhe të ndryshojnë modelin ekonomik, por gjithashtu thekson urgjencën për një plan emergjent për 100 ditët e para. Ky plan përfshin tre pika kryesore:
1. Rritje të pensioneve për 800 mijë pensionistët , duke siguruar që minimumi jetik të përmirësohet dhe pensionet të arrijnë deri në 500 euro.
2. Rritje të pagave në sektorin publik dhe nxitje për sektorin privat, duke synuar një mesatare prej 1200 eurosh .
3. Hapjen e tregjeve dhe promovimin e konkurrencës, për të çliruar ekonominë dhe për të eliminuar rritjet e pajustifikuara të çmimeve .
”Janë masa të realizueshme dhe që kanë në qendër qytetarët shqiptarë, ” u shpreh Tabaku, duke theksuar se plani i Partisë Demokratike është një ofertë konkrete për të adresuar plagët ekonomike të vendit dhe për të ndihmuar qytetarët të jetojnë në mënyrë më dinjitoze.
Ky propozim është pjesë e strategjisë së Partisë Demokratike për të ofruar një zgjidhje të qartë dhe të drejtë për sfidat që po përjeton vendi.
Deklarata e Tabakut:
“Pak ditë më parë pyeta të gjithë përdoruesit e rrjeteve të mia sociale se cilët janë problemet kryesore që kanë qytetarët shqiptarë. 3 janë plagët që ka sot cdo familje shqiptare: cmimet e larta nga tregjet e kapura që edhe kur ulen cmimet në gjithë Evropën e rajonin dhe në Shqipëri nuk ulen, pagat jodinjitoze në sektor privat e në sektor publik të cilat nuk i përballojnë dot këto rritje cmimesh dhe pensionet për 800 mijë pensionistët që qoftë në qytet, qoftë në fshat që nuk i lejojnë dot të jetojnë në një mënyrë dinjitoze. Sigurisht që familja shqiptare ka nevojë për shumë reforma, ka nevojë për frymëmarrje, ka nevojë për ndryshimin e një modeli ekonomik i cili prodhon për të gjithë, ka nevojë për hapjen e tregut, për konkurrencë por për 100 ditët e para ka nevojë dhe për një plan emergjence që ka 3 elementë bazë. E para,pensioni për 800 mijë pensionistët, të paktën 20% më shumë se minimumi jetik me një pension që shkon deri në 500 euro. Paga në sektorin publik që duhet patjetër të ndiqet dhe nga sektori privat , 1200 euro mesatare dhe së treti, konkurrenca në tregje për të hapur dhe për të cliruar ekonominë në mënyrë që kjo rritje e cmimeve që sot përjeton cdo sektor të jetë vetëm pjesë e së shkuarës. Të gjitha të realizueshme, të gjitha objektiva për qytetarët shqiptarë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.