Teknologji dhe Inovacion

Jony Ive i Apple, bashkohet me OpenAI/ A po lind superpajisja që do të zëvendësojë iPhone-in?

Nga Gazeta “SI”- Kur OpenAI njoftoi javën e kaluar blerjen e kompanisë “io”, shumë sy u kthyen menjëherë nga një emër i njohur për publikun teknologjik. Jony Ive, dizajneri ikonë i Apple, njeriu që krijoi estetikën e iMac-ut, iPod-it, iPhone-it, iPad-it dhe Apple Watch-it, është një figurë që prej dekadash identifikohet me revolucionet teknologjike që kanë përkufizuar epokën digjitale.

Tashmë, në një kapërcim të bujshëm, ai bashkon forcat me Sam Altman, CEO dhe bashkëthemelues i OpenAI, për të sjellë në jetë një pajisje të re që premton të jetë aq transformuese sa iPhone-i , vetëm se këtë herë në qendër është inteligjenca artificiale.

Marrëveshja përfshin një investim të raportuar prej 6.5 miliardë dollarësh në aksione të OpenAI dhe u shpall përmes një njoftimi zyrtar të shoqëruar nga një portret miqësor i Ive dhe Altman, realizuar nga fotografi i njohur britanik Craig McDean.

Dyshja u shfaq gjithashtu në një video të regjistruar në kafenenë ikonike Zoetrope në San Francisko, ku folën me ton të qetë e vizionar për një “familje pajisjesh” që do t’i lejonin njerëzit të krijonin gjëra të jashtëzakonshme me ndihmën e “magjisë së inteligjencës artificiale në cloud”.

Për publikun, kjo lëvizje ngjason me transferimin e LeBron James te Miami Heat.  Një ikonë që largohet nga një perandori ku kishte arritur gjithçka, për të krijuar një kapitull të ri me një skuadër të re. Dhe ashtu si Jobs dikur me Ive, Altman kërkon të bëhet fytyra e një epoke të re teknologjike.

Një pajisje e re.  Por çfarë është ajo?

Ende nuk dihet me saktësi se si do të duket pajisja që Altman dhe Ive po projektojnë. Analisti i njohur i zinxhirit të prodhimit të Apple, Ming-Chi Kuo, ka bërë të ditur se ajo do të jetë e vogël dhe elegante si një iPod Shuffle, por e pajisur me kamera dhe mikrofona që perceptojnë ambientin përreth. Me shumë gjasë do të jetë një pajisje që vishet , një lloj amuleti teknologjik që mund të varet në qafë  dhe që do të integrojë funksione të avancuara të AI-së në kohë reale.

Kjo pajisje mund të ngjajë me disa nga produktet që janë testuar tashmë në treg gjatë vitit të fundit.  “Humane AI Pin”, një pajisje me projektor lazer të integruar; “Rabbit R1”, një mini-asistent personal me ekran; apo “Friend”, një chatbot i varur si varëse. Por të gjitha këto pajisje janë kritikuar për kufizime të theksuara funksionale. Tregu është ende në një fazë eksperimentale, ku entuziazmi mediatik është më i madh sesa konkretësia teknologjike.

Jony Ive, Sam Altman

Kjo ka ringjallur një term të viteve ’80 “vaporware”  një koncept që përshkruan produkte që premtohen me bujë, por që ose nuk dalin kurrë në treg ose dalin me funksione larg premtimeve fillestare. Deri tani, edhe pajisja e re e Ive dhe Altman mbetet pjesë e kësaj vale optimizmi të tejkaluar, për sa kohë që nuk ekziston një prototip real i disponueshëm.

Një botë ku AI është gjithmonë me ty

Megjithatë, nuk është e vështirë të përfytyrohet se si mund të duket kjo pajisje, nëse marrim parasysh mënyrën si AI është tashmë e integruar në jetën tonë të përditshme. IPhone tashmë përmbledh bisedat me AI, Google po zëvendëson motorin e kërkimit me një “AI Mode”, Meta po bashkëpunon me Ray-Ban për syze që flasin dhe përkthejnë në kohë reale, ndërsa chatbot si Replika dhe Character.ai po imitojnë gjithnjë e më mirë komunikimin njerëzor.

Altman dhe Ive duket se duan të sintetizojnë të gjitha këto funksione në një pajisje të vetme. Ajo mund të dëgjojë zërat përreth, të kuptojë tonin, të gjenerojë përgjigje të personalizuara, të shërbejë si asistent, shoqërues, përkthyes, mësues dhe burim informacioni.

Sipas informacioneve të para, pajisja nuk do të zëvendësojë telefonin apo kompjuterin, por do të funksionojë si një “pajisje e tretë”, një nyje ndërmjet të dyjave një ndihmës gjithmonë pranë.

Por pas këtij vizioni “të lirë nga ekrani” që shitet në mënyrë kaq tërheqëse, fshihet një realitet i rëndë teknologjik: serverë kolosalë, infrastruktura energjie që shpenzon sasi të mëdha uji për ftohje, moderues njerëzorë që monitorojnë AI-në, dhe mbi të gjitha, një ndërtim mbi informacionin e grumbulluar nga historia e të menduarit njerëzor. Pajisja që do të mbajmë në qafë është, në fakt, një portë për depërtimin e AI-së në çdo aspekt të jetës.

Kostoja mjedisore dhe sociale e një bote të automatizuar

Rritja masive e përdorimit të AI-së në pajisje personale ka pasoja serioze për mjedisin. Studime të fundit kanë treguar se edhe veprime të thjeshta si gjenerimi i një e-maili përmes AI-së shpenzon ujë në mënyrë të konsiderueshme.

Nëse miliona përdorues do të përdorin një pajisje të tillë siç përdorin iPhone-in, impakti do të ishte dramatik  me një konsum energjie që krahasohet me kthimin e çdo automjeti në rrugë në një kamion dieseli.

Kjo do të kërkonte ndërtimin e gjithnjë e më shumë qendrave të të dhënave (data centers), me një kosto të jashtëzakonshme energjetike dhe ekonomike. E gjithë kjo do të bëhej në emër të “lehtësimit” të jetës sonë por në fakt do të nënkuptonte dorëzimin e gjithnjë e më shumë kompetencave tona mendore tek një makinë gjithmonë e pranishme.

Prej një dizajni ideal , te një armë depërtimi teknologjik

Jony Ive ka ndërtuar reputacionin e tij mbi dizajnin që është estetik, i thjeshtë, por edhe funksional. Spekulimet e para vizuale mbi pajisjen që ai po koncepton flasin për një objekt metalik të rrumbullakët, minimalist dhe i lehtë për t’u përdorur. Por nën këtë pamje të pastër fshihet një makinë e ndërlikuar kontrolli dhe informacioni.

Kritikët e shohin këtë pajisje jo thjesht si një ndihmës, por si një “kalë troje” që do të sjellë AI-në në çdo dimension të përvojës sonë  përmes një dizajni të padëmshëm, por me një potencial të pamatë ndërhyrës.

Sondazhet e fundit tregojnë një skepticizëm në rritje ndaj teknologjisë së tejskajshme. Një studim në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se 46% e të rinjve nga mosha 16 deri në 21 vjeç do të preferonin të jetonin në një botë ku interneti nuk ekziston.

Dy dekada pas lindjes së rrjeteve sociale, me të gjithë ndikimin e tyre të thellë dhe shpesh të dëmshëm mbi shoqërinë dhe psikologjinë individuale, është e udhës të mendojmë dy herë para se të përqafojmë me entuziazëm një tjetër pajisje që premton të ndryshojë gjithçka ndoshta edhe më shumë sesa e kemi parashikuar.

Burimi: The New Yorker


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë