Gazeta Si – Presidenti Joe Biden ka rezultuar pozitiv me Covid-19! Lajmi është bërë publik nga CNN, teksa njoftohet se presidenti pritej të fliste në konferencën e grupit në Las Vegas të mërkurën mbrëma.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre njoftoi diagnozën demokratit 81-vjeçar pasi presidenti i “UnidosUS”, një organizatë latine për të drejtat civile, tha se zoti Biden nuk do të ishte në gjendje të fliste në një ngjarje të planifikuar për shkak të infektimit me Covid-19.
Në vend të fjalimit para votuesve hispanikë, Presidenti Biden shkoi në Delauer, kur kishte planifikuar të kalonte fundjavën.
“Ai është i vaksinuar dhe po përjeton simptoma të buta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Diagnoza e Presidentit Biden përkon me Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane dhe thirrjet e demokratëve për largimin e tij nga gara për president.
Shqetësimet e demokratëve mbi aftësitë e presidentit aktual 81 vjeçar për ta mposhtur rivalin republikan, apo nëse është në gjendje që të udhëheqë vendin për një mandat të dytë, u shtuan pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin e parë presidencial, të 27 qershorit.
Ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i ka thënë Presidentit Biden që sondazhet tregojnë se ai nuk e fiton dot garën presidenciale me Donald Trump.
CNN raporton se nga burime ka mësuar që mes Nancy Pelosit dhe Joe Biden ka patur një bisedë së fundmi, që besohet se ka ndodhur javën e kaluar, ku i ka thënë se sondazhet tregojnë që ai nuk mund ta mposhtë dot Donald Trumpin.
Por sipas CNN, Presidenti Biden u kundërpërgjigj duke thënë se ai i ka parë sondazhet dhe tregojnë se mund të fitojë përballë Trumpit.
Megjithatë, nuk dihet nëse gjatë kësaj bisede Nancy Pelosi t’i ketë kërkuar Presidentit Biden që të tërhiqet nga gara e Nëntorit.
Në radhët e demokratëve ka patur kërkesa që Joe Biden të tërhiqet nga gara pasi nuk e mund dot Donald Trumpin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




