Ngjarje

Jo vetëm Tirana kundër rritjes së çmimeve, protesta edhe në qytete të tjera

Gazeta Si - Dhjetëra qytetarë kanë protestuar këtë të enjte në disa qytete të vendit kundër rritjes së çmimit të ushqimeve dhe karburanteve.

Në Kukës, dhjetëra qytetarë, të vendosur përgjatë rrugës kryesore, kërkuan uljen e çmimeve, që sipas tyre ka ndikuar ditët e fundit për të përballuarjetesën.

Disa prej protestuesve që punojnë me linja të ndryshme transporti drejt qyteteve të Shqipërisë, bëjnë me dije se për shkak të rritjes së çmimit të naftës janë detyruar të rrisin edhe çmimin e biletave. Protesta u organizua nga vetë qytetarët, e cila u njoftua në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme.

Që para fillimit të protestës, dhjetra policë qenë vendosur për gjatë kësaj rruge për të monitoruar protestën e thirrur nga qytetarët.

Studentë të Universitetit të Shkodrës në protestë

Në ditën e dytë radhazi disa të rinj kanë protestuar këtë të enjte në Shkodër kundër rritjes së çmimeve. Me pankarta në duar, ku kundërshtonin rritjen e çmimeve të naftës dhe atyre të shportës, ata kërkuan nga qeveria lehtësi dhe zgjidhje të këtij problemi.

Pjesa më e madhe e tyre ishin anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Shkodër. Ndërsa në orën 17:00 është thirrur një tjetër protestë nga shoqëria civile.

“Ne sot jemi këtu në emër të studentëve, sepse sot një studenti i duhet të paguajë me shumë për transportin. Nëse një të riu nga Vau Dejës, deri dje i duhej të paguante 200 lek vajtje ardhje, sot ai paguan 300 lekë. Kjo është një kosto më e lartë për studentët nga rrethet që janë pjesë e Universitetit të Shkodrës. Kryeministri thotë që jemi në luftë, por ai duhet të vijë këtu dhe të menaxhojë luftën, jo të qëndrojë në Dubai”, - u shpreh një student.

Qytetarë të Vlorës gjatë protestës së sotme

Edhe në Vlorë disa qytetarë kanë bllokuar rrugën në zonën e Skelës në shenjë proteste për çmimet e rritura. Forcat e policisë në terren për hapjen e rrugës nga protestuesit.

Mbrëmjen e të mërkurës, një tubim masiva u mbajt në Tiranë para kryeministrisë, ku qindra qytetarë protestuan për rreth 3 orë kundër rritjes së çmimeve. Ata bllokuan rrugën pranë selisë së qeverisë dhe kanë njoftuar se çdo ditë do të mbajnë protesta deri në zgjidhje të situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë