Analize

Jo vetëm Rusia por edhe të tjerë po e përdorin Facebook kundër nesh

Katër vjet më parë, kur Skocia planifikoi një referendum për pavarësinë nga Britania, një faqe në Facebook u kthye në nxitësen më të madhe të Edinburgunt drejt shkëputjes. “Free Scotland 2014” ka postuar një sërë materialesh që joshnin përdoruesit e Facebook, duke publikuar lajme dhe meme që tallnin të pasurit dhe të fuqishmit. Me më shumë se 20,000 ndjekës, faqja u kthye në një nga më të njohurat e këtij lloji, që mbështeste pavarësinë skoceze.

Dhe, siç e mësuam këtë javë, ajo operohej nga Irani. Faqja është hequr nga Facebook, si pjesë e një beteje kundër faqeve të rreme. Të martën, Facebook mori vendimin më drastik deri më sot, duke fshirë më shumë se 650 faqe dhe llogari. Twitter dhe YouTube ndoqën shembullin, duke e çuar totalin e faqeve të fshira në afro 1,000 profile.

Në të kaluarën faqet e fshira ishin të lidhura me Rusinë, por njoftimi i kësaj jave hapi një kapitull të ri në platformat e mediave sociale. Pothuajse një vit pasi Facebook fshiu për herë të parë profilet e rreme, po mësojmë se Rusia nuk është më i vetmi vend që përdor mediat sociale ndaj demokracive perëndimore.

Rusët i treguan botës se llogaritë e rreme të mediave sociale ofrojnë një mundësi të artë për të shkaktuar kaos në shoqëritë tona. Tanimë, autokracitë e tjera po ndjekin shembullin e saj.

Ende nuk e dimë se cilat agjenci iraniane ishin në të vërtetë përgjegjëse për faqen pro pavarësisë së Skocisë, por në rastin e Rusisë, faqet kontrolloheshin nga organizata private proqeveritare. Ne tashmë e dimë se një nga fushatat më të njohura të medias sociale në Rusi nxiste shkëputjen në Teksasit dhe Kaliforninë nga SHBA-ja. A është me të vërtetë një surprizë që edhe Irani pa një mundësi të artë për të hyrë në të njëjtën lojë?

Disa nga faqet e tjera, të tilla si “E Majta Britanike”, synonin të joshnin përkrahësit e udhëheqësit të Partisë Laburiste Jeremy Corbyn. Të tjerë, të tillë si “Fronti Progresiv” tentonin të joshnin kundërshtarët e Presidentit Trump. Dhe të tjera, si “Kërkimi për të vërtetën”, një faqe që pretendonte se drejtoheshin nga një grup të rinjsh, ishin të lidhur në mënyrë të  drejtpërdrejtë me presionin propagandës iraniane.

“FireEye”, firma e sigurisë kibernetike që nxiti fillimisht hetimin e Facebook, shkroi në raportin  e saj për qeverinë amerikane se faqet e rreme shpërndanin kryesisht postime kunder Arabisë Saudite, kundër Izraelit dhe pro-Palestinës, si dhe mbështetin politika specifike amerikane të favorshme për Iranin, si marrëveshja bërthamore SHBA-Iran.

Detajet mbi mënyrën se si Irani përdorte faqet e rreme janë ende të qarta. Si në rastet e mëparshme, Facebook ka shmangur botimin e gjithçkaje që përmbanin këto faqe, por nuk i ka dalë në të gjitha rastet. Tashmë kemi zbuluarse disa nga faqet iraniane përdornin edhe opinionistët e shquar perëndimorë për të promovuar tezat e tyre. Ashtu si rusët, edhe iranianët arritën të mblidhnin një audiencë të madhe me shpenzime minimale: vetëm 12.000 dollarë. Me këtë lloj raporti  kosto-përfitim, është normale që operativët në Phenian apo Pekin të jenë të etur për të nisur fushatat e tyre. Në fund të fundit, Facebook zbuloi se disa prej këtyre llogarive të rreme iraniane kanë ekzistuar që nga viti 2011.  Shtetet e Bashkuara rrezikojnë që zgjedhjet e tyre të bëhen “Kupa Botërore” e luftës informative, në të cilën kundërshtarët dhe aleatët e SHBA-së do të luftojnë për të imponuar interesat e tyre të ndryshme në elektoratin amerikan./Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë