Nga Gazeta ‘Si’- Një javë më parë, nga selia e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama nisi ‘një rubrikë’ në rrjetet e tij sociale.
Duke e quajtur atë “sy m’sy” dhe duke e ndarë në episode, Rama veçoi një nga komentet e qytetarëve në Facebook dhe iu përgjigj atij me anë të një videoje të shkurtër.
Ndërsa fillimisht e bëri këtë vetëm me çështjen e energjisë, pas vendimit për uljen e çmimit, ai ka vijuar tashmë për çdo ditë t’u përgjigjet komentuesve për çështje të ndryshme.
As më shumë e as më pak, të njëjtën gjë duket se bëri sot edhe kreu i PD Sali Berisha i cili në vend të konferencës së përditshme me gazetarët, nisi një bashkëbisedim në Facebook me qytetarët duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Ndërsa zgjedhjet janë në prag, të dy liderët që de facto e kanë nisur fushatën, përpos takimeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, e kanë zhvendosur atë edhe në Facebook duke përfshirë qytetarët.
‘Sy m’sy e Ramës’- Nga ‘akuzat për drogaxhi’ tek ‘u bëre bozë para ekranit’
Edhe pse Rama e ka quajtur këtë rubrikë si një dritare për të komunikuar dhe informuar qytetarët, një përdorues në Facebook i shkroi sot se në vend që të rrinte para ekranit, një kryeministër duhet të jetë në krye të detyrave të tjera dhe se nuk ka kureshtje për të rejat që Rama mund të thotë.
“Mirëmëngjes, u bëre bozë çdo ditë para ekranit. Mesa dimë, një kryeministër, ka punë dhe detyra nga ta nisë ditën e re. Nejse, për qytetari po ju dëgjojmë, jo se do na shuani kureshtjen për të rejat që do të thoni. E kemi nisur punën dhe ditën e re që në orën 5 të mëngjesit”, ishte komenti i qytetarit.
Saora, Rama publikoi një video duke iu kundërpërgjigjur se në fakt, puna e tij është të udhëheqë duke lexuar, punuar, analizuar, diskutuar, vendosur, mbikqyrur, koordinuar, harmonizuar dhe informuar.
“Edhe këto dritare të reja që kam hapur këtu janë për të debatuar, sikurse po bëjmë bashkë dhe për të informuar, sikurse bëra për marrëveshjen e djeshme në Abu Dhabi, që dhe ti e komentove. Unë them që dita nis me ty. Nis me ty, sepse sa hap sytë, mendoj se çfarë do bëj sot, me mandatin që më është dhënë, për vendin tënd dhe timin, për njerëzit e këtij vendi”, u përgjigj Rama.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se “nuk le pa bërë, asnjë nga detyrat që i takojnë”.
“Në të gjitha punët e mia, asnjëherë nuk rri pa mendje dhe asnjërën nuk le pa bërë. Dhe këto videot, janë një grusht minutash, ndërkohë që dita ime nis sa gdhihet dhe mbaron pas mesnate. Këto dritare i kam hapur, që kush më ndjek këtu, ta dijë çfarë bëjmë. Kanë shumë rëndësi për njerëzit, por nuk kanë rëndësi për kanalet dhe portalet që janë shumë të zënë me ato gjyqet popullore, me gjysmë të vërtetat, që ndonjëherë janë gënjeshtrat më të mëdha”.
Në fund, ai theksoi se çdokush është i lirë ta ndjekë ose në llogarinë e tij në “Facebook” apo në rrjetet e tjera sociale.
Më herët, Rama u është përgjigjur qytetarëve jo vetëm duke dhënë lajme, siç ishte rasti i djeshëm ku njoftoi se qeveria amerikane ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë, por u ka replikuar edhe për akuza që ata kanë shkruar në drejtim të tij.
Një ndër videot e ‘sy m’sy’ që u komentua edhe më shumë, ishte ajo e para katër ditëve, kur Rama iu përgjigj njërit prej komentuesve, i cili shprehej se hunda e kreut të qeverisë ishte e shtrembërt nga konsumi i lëndëve narkotike.
Rama tha se këto ishin pretendime nga “katran partia”, të cilat janë përsëritur mijëra herë duke u kthyer në lavazh truri për qytetarët dhe theksoi se në fakt, e vërteta mbi kockën e hundës së tij qëndron në një episod dhune të shumë viteve më parë, ku ai është goditur me leva dhe doreza hekuri, ashtu siç ai vetë tregon.
“Ma kanë thyer hundën, bashkë me kafkën këtu mbrapa dhe më kanë çarë buzën me leva dhe doreza hekuri. Dhe ja po të tregoj se ti me siguri je i ri dhe mbase nuk e ke idenë e piramidave të Sudes dhe Rrapushit që grabitën kursimet e shqiptarëve me bekimin e katranit të madh të asaj partisë që u ka mësuar të thuash e të shkruash se unë jam drogaxhi.
Ishte viti ’97 dhe unë mblidhja firma nga shoqëria civile për një peticion për dorëheqjen e qeverisë së asokohe që të shmangej ajo që erdhi më pas kur më dolën në pritë poshtë shtëpisë, në mes të errësirës dhe baltës së Tiranës së asokohe. Më lanë në rrugë mbuluar në gjak dhe doli të nesërmen një kloun i katran partisë si puna e këtij Gazment Ziut të sotëm dhe tha se do ketë qenë sherr për punë të ndonjë femre”, tha Rama.
Bashkëbisedimi i Berishës: Nga ulja e çmimit të naftës tek ftesa në podcastin e Ramës
Ndërkohë, kreu i PD tha se ka disa kohë që i ka munguar dialogu me qytetarët dhe se do iu përgjigjet të gjithë pyetjeve dhe komenteve të tyre në Facebook.
Ai iu bëri ftesë qytetarëve që ta vazhdojnë këtë dialog sëbashku edhe në ditët e mëtejshme.
Ashtu siç edhe kishte premtuar më herët, Sali Berisha edhe sot u zotua që nëse forca e tij politike vjen në pushtet, do të përgjysmojë taksat për naftën në vend.
Ai tha sërish se nafta nuk do mund të shitet kurrë me variacion çmimi plus-minus 10 për qind me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Ndërkohë, pasi përmendi një sërë premtimesh të tjera, Berisha u ndal edhe tek primaret dhe vota e diasporës duke iu përgjigjur komentit të një emigranti se nuk ishte ende i qartë me procesin e votimit.
Ai tha se primaret do të shpallen së shpejti dhe se janë të hapura për shqiptarët kudo që banojnë.
“Ne po bëjmë gjithçka për një proces transparent të votës së diasporës. Është garantuar një postë e paanshme në princip, një postë prestigjioze ndërkombëtare që do të transportojë këto. Ndërkohë mekanizmat e kontrollit të dyanshëm, në të gjitha etapat e numërimit të këtyre votave. Unë ftoj çdo qytetar jashtë vendit, që të ushtrojë të drejtën e votës dhe të ndihet krenar, se me votën e tyre kësaj radhe ka të gjithë mundësinë të firmosë rotacionin, ndryshimin”, deklaroi Berisha.
Ai gjithashtu komentoi edhe vendimin e fundit të qeverisë për të shpallur investitor strategjik dhëndrin e Donald Trump, Jared Kashner ku tha se Rama po e bën këtë për të blerë influenca politike.
Berisha u pyet edhe nëse është i gatshëm të shkojë në podcastin e Ramës. Por, ai tha se është i gatshëm të përballet me kryeministrin Edi Rama në debat televiziv, ku të jenë përballë njëri-tjetrit dhe në mes të kenë qytetarin.
“Unë kam ftuar Ramën në TV, monologet e Ramës janë një neveri e vërtetë në podcast. Unë nuk kam asnjë dëshirë të takohem me të, por për hir të qytetarëve unë jam i gatshëm që edhe në studiot televizive që thërrasin lavdi Ramës. Dua ta kem ballë për ballë, të vendosim qytetarin në mes dhe problematikat e tij. Por ai nuk e pranon. Ai nuk del, por po erdhi unë e ftoj atë. Pastaj le t’i bëjë dyfish ato podcastet, edhe në makinë flet me vetë, edhe ato le t’i shtojë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.