Gazeta Si – Milani është në shitje, por nuk është vetëm ‘Investcorp’ i interesuar për blerjen e klubit kuqezi. Në tavolinën e tratativave të fundit ‘Elliott’ ka edhe një ofertë tjetër, kjo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bëhet fjalë për ‘RedBird Capital’, – kompani e përfshirë edhe te Liverpuli, – që ka ofruar më shumë se 1 miliard euro për të blerë Milanin. Megjithatë, ‘Investcorp’ është në avantazh sa u takon bisedimeve me pronarët e klubit italian.

‘RedBird’ është një nga investitorët më të mëdhenj në botën e sportit të niveleve të larta dhe në kompanitë teknologjike. Përveçse ka blerë për 750 milionë dollarë 10% të ‘Fenway Sports Group’, kompani bashkëpronare e Liverpulit, por edhe Boston Red Sox në MLB, fondi amerikan në korrik të 2020-ës u bë pronar i Tuluzës në Francë, që sapo është ngjitur në Ligue 1, duke blerë 85% të aksioneve.
Me një ofertë prej më shumë se 1 miliard eurosh për ‘Elliott’, ‘RedBird’, sipas ‘Sky UK’, po provon të përfshihet në bisedime me Milanin, por tratativat me “Investcorp’ janë në një fazë të avancuar dhe sipas të të njëjtit burim, vështirë se mund të bien poshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




